Pas një pauze pothuaj 8-vjeçare, rikthehet sonte në teatrin e Tv Klan spektakli i talenteve "A Factor Albania". Një prej formateve që ka prodhuar jo vetëm zëra dhe talenteve të jashtëzakonshme, por edhe një prej spektakleve më të ndjekura nga të rinjtë e çdo kohe, do të rikthehet sonte për publikun me një skuadër artistësh të rinj, shumë të talentuar.
Në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve, moderatorja Alketa Vejsiu tha se ky edicion, do të jetë, mbase, "X Factori" më i mirë i të gjithë edicioneve.

"Kemi mbase "X Factor"-in më të bukur të të gjitha edicioneve. Pas një pauze gati 8-vjeçare rikthehmi në këtë edicion të pestë fantastik, me prurjet më të jashtëzakonshme të talenteve, në një turne që kemi bërë në të gjithë Shqipërinë, Kosovë, Maqedoni, qytet më qytet, për t'i zbuluar këta yje që i japim kuptim dhe mision profesionit tonë, sepse ky është një televizion që tregon sot se ne bëjmë televizion që ka një qëllim. Të zbulosh talente, të frymëzosh muzikën me yje të rinj, t'u japësh shpresë ëndrrave të të rinjve edhe t'i frymëzosh ata që çdo gjë në jetë arrihet me punë dhe me këmbëngulje dhe duke krijuar disa oportunitete. Një sistem i tërë i Tv Klan është vendosur në dispozicion për t'i dhënë shkëlqimin që meriton këtij talenti.
Ata janë më shumë fat që jetojnë në këtë epokë, me shumë fat që kanë trokitur te laboratori ku prodhohen gjithmonë talente. Tv Klan gjithmonë ka pasur si mision që të zbulojë talente që nga "Gjeniu i vogël", te "X Factor" është një rrugëtim që i ndjek".
Netët live do të kenë patjetër spektakël, shtoi më tej Vejsiu, duke theksuar se spektaklin do ta bëjnë të rinjtë e muzikës shqiptare: "Ata janë gjysmë të gatshëm, sepse nuk ka nevojë të bëjnë një shkollë të mirëfilltë, sepse e bëjnë në shtëpitë e tyre, me një mikrofon të thjeshtë, me një muzikë në sfond cover-in e një kënge të njohur dhe e hedhin në TikTok, në Instagram, prandaj janë gjysmë të famshëm kur vijë këtu, kështu që spektaklin e vërtetë ua kemi lënë vetëm atyre ekskluzivisht sot…
Ne jemi gati për ta çuar "Titanikun" në destinacion…"



