ART&KULTURË

“Liri a Vdekje” rikthehet pas 46 vitesh, Timo Flloko kujton skenat

“Liri a Vdekje” rikthehet pas 46 vitesh, Timo Flloko kujton skenat

Filmi "Liri a Vdekje" rikthehet pas 46 vitesh si një simbol i gjallë i atdhedashurisë, sakrificës dhe qëndresës. Restaurimi i tij nuk është thjesht një proces teknik, por një akt i rëndësishëm kulturor që i shërben kujtesës historike dhe brezave të ardhshëm.

Ky produksion mbetet një dëshmi e fuqishme e identitetit kombëtar, duke sjellë për të rinjtë një pasqyrë të rolit që arti dhe kinemaja kanë në ruajtjen e historisë. Rikthimi në ekran është një kujtesë se liria fitohet dhe mbrohet çdo ditë.

Artisti Timo Flloko theksoi se filmi mban pas një trashëgimi të çmuar, duke nderuar figurat që kontribuuan në të, si skenaristi Vath Koreshi, regjisorët Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, si dhe kompozitori Kujtim Laro, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare.

“Ky film ka 46 vite përpara. Njerëz të shquar të këtij produksioni, të këtij filmi, nuk janë më. U bëj homaxhe, që nga skenaristi i shquar Vath Koreshi dhe dy regjisorët Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, kompozitorit të madh Kujtim Laro dhe shumë e shumë të tjerë," -u shpreh Timo Flloko.