BOTA&RAJONI

Tërmet i fuqishëm në Filipine, paralajmërime për cunami në disa vende

Tërmet i fuqishëm në Filipine, paralajmërime për cunami

Një tërmet me magnitudë 7.5 goditi mëngjesin e së premtes brigjet jugore të Filipineve, sipas agjencisë kombëtare të sizmologjisë Phivolcs, e cila paralajmëroi për dëme dhe pasgoditje të mundshme.

Tërmeti ndodhi në ujërat pranë qytetit Manay në rajonin Mindanao, në një thellësi prej rreth 20 kilometrash. Pas goditjes, u lëshuan paralajmërime për cunami në disa vende, ndër to Indonezia dhe Palau, ku valët mund të arrijnë deri në 1 metër mbi nivelin e detit.

Autoritetet filipinase u bënë thirrje banorëve të zonave bregdetare të largohen menjëherë drejt vendeve më të larta. Presidenti Ferdinand Marcos Jr deklaroi se ekipet e kërkim-shpëtimit janë në gatishmëri dhe po punojnë për të garantuar ndihmën për të prekurit.

Sipas dëshmive nga Davao Oriental, tërmeti u ndje shumë fort dhe disa ndërtesa kanë pësuar dëme.

Filipinet ndodhen në “Unazën e Zjarrit të Paqësorit”, zonë me aktivitet të lartë sizmik, ku regjistrohen mbi 800 tërmete çdo vit. Ky është tërmeti më i fortë pas atij të dy javëve më parë, që shkaktoi 72 viktima në ishullin Cebu.