BOTA&RAJONI

Andrew në skandalin Epstein, Mbreti Charles III: Do të bashkëpunojmë me policinë

Andrew në skandalin Epstein, Mbreti Charles III: Do të  


Mbreti Charles III ka deklaruar se është i gatshëm të “mbështesë” policinë britanike që po shqyrton pretendimet se vëllai i tij Andrew (i zhveshur nga titulli “princ” dhe titujt e tjerë) i ka dhënë informacion konfidencial të dënuarit për krime seksuale Jeffrey Epstein, i cili u vetëvra në burg në vitin 2019.

Deklarata nga Pallati Mbretëror erdhi pasi policia tha se po “vlerësonte” raportet se ish-princi, tani i njohur si Andrew Mountbatten-Windsor, i kishte dërguar Epstein-it raporte tregtare në vitin 2010.

Policia e Thames Valley, që mbulon disa zona në perëndim të Londrës, përfshirë ish-shtëpinë e Mountbatten-Windsor në Windsor, hapi hetimin pasi organizatat e lajmeve raportuan se email-e të zbuluara së fundmi sugjeronin se princi Andrew i kishte dërguar Epstein-it raporte nga një tur i Azisë Juglindore, ku kishte shkuar si i dërguar i Britanisë për tregtinë ndërkombëtare.

“Mbreti e ka bërë të qartë, me fjalë dhe me veprime të paprecedentë, shqetësimin e tij të thellë për akuzat që vazhdojnë të dalin në lidhje me sjelljen e zotit Mountbatten-Windsor,” tha pallati në një deklaratë, citon TWP. “Ndërsa pretendimet specifike duhet të adresohen nga vetë Mountbatten-Windsor, nëse policia e Thames Valley na afrohet, jemi të gatshëm t’i mbështesim siç pritet.”

Mbreti përsëriti gjithashtu shqetësimet e tij, dhe ato të Mbretëreshës Camilla, për viktimat e abuzimeve të Epstein-it.

Sjellim ndërmend se Mbreti Charles III vitin e kaluar ia hoqi vëllait të tij 65-vjeçar titujt mbretërorë pas zbulimeve të mëparshme për marrëdhënien e tij me Epstein-in. Ish-princi, tani i njohur thjesht si Andrew Mountbatten-Windsor, ka mohuar çdo keqbërje në lidhje me Epstein.

Familja mbretërore të hënën vazhdoi përpjekjet për t’u izoluar nga skandali, pasi Princi William dhe Princesha Catherine publikuan deklaratën e tyre të parë për dokumentet e publikuara nga SHBA-të. Dosjet zbulojnë rrjetin e njerëzve të pasur dhe me pushtet që Epstein përdorte për të shfrytëzuar gra dhe vajza të reja, dhe tregojnë se marrëdhënia e ngushtë e Mountbatten-Windsor me Epstein-in vazhdoi edhe pas dënimit të financierit në vitin 2008 për shfrytëzim të një të miture për prostitucion.

Rreziku me të cilin përballet familja mbretërore u pa të hënën kur Mbreti Charles vizitoi Lancashire, në veriperëndim të Anglisë. Ndërsa shumica e publikut duartrokiti, brohoriti dhe valëviti flamuj britanikë, një person bërtiti: “Sa kohë ke që e ke ditur për Andrew-n?”

Korrespondenca e zbuluar ditët e fundit, ndërsa gazetarët vazhdojnë të shqyrtojnë dokumentet, duket se tregon se Mountbatten-Windsor i kishte dërguar kopje të raporteve të tij nga një tur i vitit 2010 në Azinë Juglindore Epstein-it menjëherë pas kthimit në Britani. Një email i mëhershëm duket se tregon princin Andrew duke ndarë itinerarin e tij për udhëtimin dy-javor në Hanoi, Saigon, Singapor, Kuala Lumpur dhe Hong Kong me Epstein.