BOTA&RAJONI

Bill Gates kërkon falje për lidhjet me Epstein, pranon marrëdhëniet jashtëmartesore

Bill Gates kërkon falje për lidhjet me Epstein, pranon

Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka kërkuar falje para stafit të Gates Foundation për lidhjet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, duke i cilësuar ato si “një gabim të madh” që ka errësuar punën filantropike të fondacionit.

Sipas raportimit të The Wall Street Journal, Gates u shpreh gjatë një takimi të brendshëm se “nuk ka bërë asgjë të paligjshme” dhe se nuk kishte dijeni për krimet e Epstein, por pranoi se ishte gabim që kishte kaluar kohë me të.

Ai tha se e kishte takuar për herë të parë Epstein në vitin 2011, disa vite pas dënimit të financierit për akuza që përfshinin shfrytëzimin e të miturave. Gates shtoi se, me informacionin që ka sot, situata duket “njëqind herë më e rëndë”.

Gjatë të njëjtit takim, miliarderi pranoi gjithashtu se kishte pasur marrëdhënie jashtëmartesore, përfshirë një me një lojtare ruse të bridge-it dhe një tjetër me një fizikane bërthamore ruse.

Emri i Gates është përmendur në dokumentet e publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë lidhur me çështjen Epstein. Ndërkohë, ish-bashkëshortja e tij, Melinda French Gates, me të cilën u divorcua në vitin 2021 pas 27 vitesh martesë, është shprehur më herët se përmendja e tij në këto dokumente ka rikthyer “kujtime shumë të dhimbshme”.

Fondacioni ka deklaruar se disa punonjës kishin kontaktuar me Epstein për mundësi financimi në fushën e shëndetit global, por nuk u krijua asnjë bashkëpunim apo fond dhe nuk u kryen pagesa ndaj tij.