BOTA&RAJONI

“Epstein-in e mbytën, nuk u var”, mjeku që ndoqi autopsinë e pedofilit kërkon rihapjen e hetimit për vdekjen e tij

“Epstein-in e mbytën, nuk u var”, mjeku që ndoqi

Jeffrey Epstein e mbytën, nuk u var në qelinë e tij të burgut në New York, sipas një mjeku që ishte i pranishëm në autopsinë e tij, shkruan Daily Mail.

Dr Michael Baden ka bërë thirrje që shkaku i vdekjes së pedofilit të rihapet për hetim, pothuajse shtatë vite pasi ai u gjet i pajetë në Metropolitan Correctional Center më 10 gusht 2019.

Ai nuk është i bindur nga përfundimi i Zyrës së Mjekut Ligjor të New York se milioneri amerikan i dha fund jetës së tij ndërsa priste gjyqin për akuzat e trafikimit seksual.

“Sipas mendimit tim, vdekja e tij ka shumë të ngjarë të jetë shkaktuar nga presioni i shtrëngimit dhe jo nga varja,” tha patologu për The Telegraph. Ai shtoi: “Duke marrë parasysh të gjithë informacionin që tani është i disponueshëm, kërkohet hetim i mëtejshëm për shkakun dhe mënyrën e vdekjes.”

Megjithëse mjeku nuk e kreu vetë autopsinë, ai ishte i pranishëm gjatë ekzaminimit dhe veproi si vëzhgues në emër të familjes së Epstein.

“Në kohën kur autopsia u krye nga mjeku ligjor, ne të dy ramë dakord se, në bazë të raportit të autopsisë dhe informacionit të disponueshëm, nevojitej më shumë informacion për të përcaktuar shkakun dhe mënyrën e vdekjes,” tha Dr Baden.

Pas publikimit të më shumë se tre milionë dokumenteve që lidhen me pedofilin nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, janë ngritur më shumë pyetje rreth mënyrës së vdekjes së Epstein.

Të fshehura thellë në pakon e fundit të dokumenteve gjenden pamje të papublikuara më parë që zbulojnë momentin kur rojet e burgut gjetën trupin e pajetë të pedofilit.