BOTA&RAJONI

Garderoba e Mbretëreshës Elizabeth II do të ekspozohet në Pallatin Buckingham

Garderoba e Mbretëreshës Elizabeth II do të ekspozohet në

Pallati Buckingham do të presë vitin e ardhshëm një ekspozitë të paprecedentë që do të nxjerrë në pah trashëgiminë e pasur të garderobës së lënë pas nga mbretëresha e ndjerë Elizabeth II gjatë sundimit të saj 70-vjeçar.

Gardëroba e madhërisë së saj është një pasqyrë e një jete shumë të gjatë, e mbushur me përkushtim, dhe në shumë mënyra përfaqëson një kapsulë kohore”, – tha stilisti britanik Erdem Moralioglu. “Ajo përfshin një periudhë shumë të veçantë dhe të rëndësishme të historisë.”

Ekspozita, e titulluar “Queen Elizabeth II: Her Life in Style”, do të prezantojë rreth 200 veshje të mbajtura nga mbretëresha gjatë 96 viteve të jetës së saj – gjysma e të cilave nuk janë ekspozuar kurrë më parë, sipas Koleksionit Mbretëror.

Në të do të përfshihen gjithashtu skica origjinale, disa prej të cilave mbajnë shënime nga vetë stilistët dhe madje nga vetë Mbretëresha Elizabeth.

Moralioglu, së bashku me stilistët britanikë Richard Quinn dhe Christopher Kane, do të kontribuojnë me vepra të reja në ekspozitën që do të hapet në Galerinë e Mbretit në Pallatin Buckingham në muajin prill 2026.

“Stili i Mbretëreshës dhe promovimi i kulturës britanike patën një ndikim të madh në modën britanike”,- tha Quinn. “Ajo ishte vula përfundimtare e miratimit, gjithmonë nxori në pah stilistët britanikë, duke theksuar rëndësinë e modës sonë në mbarë botën.”

Kane shtoi se “veshjet e saj tregojnë historinë e Britanisë dhe identitetin e saj në ndryshim përmes modës.”

Ndër veshjet që do të ekspozohen spikat një fustan mbrëmjeje në ngjyrë jeshile molle, i dizajnuar nga Norman Hartnell, i veshur nga mbretëresha gjatë një darke shtetërore në ambasadën britanike në Uashington në vitin 1957 për presidentin Dwight D. Eisenhower.

Në ekspozitë do të jenë të pranishme edhe fustani i dasmës dhe ai i kurorëzimit, të dy krijuar nga Hartnell, si dhe një fustan shoqëruese dasme që ajo veshi në vitin 1934.

Do të përfshihen gjithashtu pjesë nga garderoba e saj private, përfshirë veshje hipizmi, shallë karakteristikë dhe një pelerinë transparente plastike e krijuar nga Hardy Amies në vitet 1960, e cilësuar si “jashtëzakonisht moderne për kohën”.

“Gardëroba e Mbretëreshës Elizabeth II ishte një leksion mjeshtëror në simbolizëm, prerje dhe mjeshtëri britanike”,- tha kuratorja Caroline de Guitaut.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 10 prilli deri më 18 tetor 2026, ndërsa biletat dalin sot në shitje.