BOTA&RAJONI

Gjashtë pika kryesore nga libri me mesazhe urimi për ditëlindjen e Epstein

Gjashtë pika kryesore nga libri me mesazhe urimi për ditëlindjen  


Seria e fundit e dokumenteve të publikuara nga një komitet i Kongresit amerikan, që burojnë nga pasuria e të ndjerit Jeffrey Epstein, zbulojnë rreth shoqërisë elitare të të dënuarit për krime seksuale.

Këto dosje konfirmojnë një raport të Wall Street Journal nga vera e kaluar mbi një koleksion mesazhesh, vizatimesh vulgare dhe fotografish që iu dhuruan Epsteinit për ditëlindjen e tij të 50-të në vitin 2003, tre vite përpara se krimet e tij të bëheshin publike. Mes këtyre urimeve përfshihej dhe një letër e pretenduar se ia ka dërguar Donald Trump.

Trump ka mohuar që letra të jetë e tij duke shtuar se as nënshkrimi në fund nuk është i tij. Ai ka paditur gazetarët, botuesit dhe drejtuesit e gazetës, përfshirë edhe pronarin e News Corp, Rupert Murdoch, duke kërkuar 10 miliardë dollarë dëmshpërblim, pasi historia u publikua.

Por përtej asaj letre, dokumentet përfshijnë testamentin e fundit të Epsteinit, librin e tij të kontakteve dhe marrëveshjen e vitit 2007 të mosndjekjes penale me Zyrën e Prokurorit të SHBA-ve për Distriktin Jugor të Floridës, kanë ngritur edhe më shumë dyshime rreth influencës së financierit dhe sa i njohur ishte sjellja e tij mes miqve bashkëpunëtorëve.


1. Jeta seksuale e Epsteinit

Libri me 238 faqe, që përmban mesazhe urimi, vizatime vulgare dhe në disa raste fotografi me përmbajtje seksuale, përshkruan një jetë të mbushur me seks dhe sjellje të pahijshme ndaj vajzave të reja.

Në libër ka rreth 50 mesazhe nga miq dhe bashkëpunëtorë të Epstein, shumë prej të cilëve përmbajnë imazhe nudo, referenca ndaj marrëdhënieve seksuale dhe përmendje të pjesëve të trupit të grave.

Në një faqe, një vizatim i stilit karikaturë tregon Epstein-in duke i dhuruar balona vajzave të reja në vitin 1983, krahasuar me një tjetër vizatim të vitit 2003 ku tri gra në rroba banje i bëjnë masazh në një shezlon në plazh. Nën vizatim shkruhet: “Çfarë vendi i mrekullueshëm!”

Një autor shkruan se ka “vuajtur gjatë” duke menduar çfarë të shkruante, dhe përfshiu skena seksuale me luanë dhe zebra, duke thënë: “Këto dukeshin më të përshtatshme sesa çdo gjë që mund të shkruaja me fjalë.”

2. Trump përmendet edhe në një faqe tjetër

Përveç mesazhit të dyshuar të ditëlindjes me firmën e Trump-it, një faqe tjetër, që më parë nuk ishte bërë publike, tregon një foto të Epsteinit me Joel Pashcow, anëtar i klubit Mar-a-Lago të Trump në Florida. Në foto të dy shfaqen teksa mbajnë një çek të madh prej 22 mijë e 500 dollarësh. Çeku duket sikur është një pagesë nga Trump për Epstein për një grua.

Në përshkrim thuhet:“Jeffrey tregon talentin e tij të hershëm për para dhe gra! Shitet (emër i mbuluar) ‘plotësisht e amortizuar’ te Donald Trump për 22 mijë e 500 dollarë.”

Nuk është e qartë nëse Trump e ka ditur për këtë foto, por Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se “absolutisht nuk është” firma e presidentit në atë çek.

Shtëpia e Bardhë ka mohuar gjithashtu që Trump të ketë vizatuar dhe nënshkruar letrën e ditëlindjes, e cila shfaqet brenda një vizatimi që ngjan me një trup femre.

3. Ngrihen pyetje mbi marrëdhënien e Epsteinit me Ghislaine Maxwell

Prej kohësh ka pasur pyetje mbi momentin dhe mënyrën se si u takuan Ghislaine Maxwell dhe Epstein. Në fakt, kjo ishte një nga pyetjet e para që prokurori Todd Blanche i bëri Maxwell-it gjatë një interviste të fundit nga Departamenti i Drejtësisë.

Maxwell, e cila është e dënuar për trafikim seksual dhe më parë e akuzuar për dëshmi të rreme, tha se ishte takuar me Epstein në vitin 1991, dhe se as ajo e as familja e saj nuk kishin dëgjuar ndonjëherë për të më parë.

Ajo tha se një shoqe i kishte thënë: “Kam një djalë që duhet ta takosh,” duke shtuar se “po kërkonte për një grua.”

Megjithatë, në librin e ditëlindjes, duket se ata mund të jenë takuar më herët, kur Maxwell ishte ende adoleshente.

Në një letër të shkruar nga Elliot Wolk, ai përshkruan Epstein si një “shitës yll” në vitin 1970, kur Wolk po menaxhonte një llogari për babain e Maxwell, Robert Maxwell.

Ai shkruan: “A ishte ky momenti kur ti e zbulove për herë të parë vajzën adoleshente të Maxwell?”

Në një tjetër letër nga miku i Epstein, Johnny Kafka, përmendet një udhëtim në Europë pas kolegjit, gjatë të cilit Epstein u kthye me një “vajzë britanike të bukur”, emri i së cilës është redaktuar, por mund të jetë Maxwell. Këto letra ngrenë dyshime të reja mbi versionin e Maxwell-it për marrëdhënien e saj me Epstein.

4. Si u bë i pasur Epstein?

Libri i ditëlindjes është një udhëzues i mirë për njerëzit që e rrethonin Epstein-in. Faqet e para përfshijnë foto dhe mesazhe nga familja dhe miqtë e tij në Brooklyn. Nëpër faqe, përmenden fillimet e tij në Coney Island, ku ai shfaqet si shumë i zoti në matematikë, piano dhe fizarmonikë.

Por mungon një pjesë e rëndësishme në historinë e tij: nga vjen pasuria e tij? Shpesh përmendet se “mblodhi shumë shtëpi” dhe se “gjithçka ndodhi shumë shpejt.”

Dy nga klientët e tij të njohur financiarë, Les Wexner (CEO i The Limited) dhe Leon Black (ish-drejtor i Apollo Global Management), kanë lënë mesazhe në libër.

Wexner vizatoi gjoksin e një gruaje. Ai më parë ka mohuar se kishte dijeni për krimet e Epstein para hetimeve federale, dhe ka thënë se i ndërpreu lidhjet me të pasi zbuloi se Epstein kishte përvetësuar shumë para nga ai dhe familja e tij.

Black, nga ana tjetër shkruan: “skemat dhe planet e Epstein, një strategji unike për taksat.” Ai ka pranuar se ka paguar Epstein për këshilla mbi menaxhimin e pasurive dhe çështje tatimore.

Por asnjë nga letrat nuk shpjegon burimin e saktë të pasurisë së Epstein apo si u afrua me njerëz kaq të fuqishëm.

5) Kontaktet e tij me njerëz të famshëm

Dokumentet nxjerrin në pah miqësitë e Epstein me figura të njohura në politikë, biznes dhe industrinë e argëtimit.

Shumë nga mesazhet janë të ndara në kategori si “miq”, “biznes”, “shkencë” dhe “Brooklyn”. Asnjë nga këta persona nuk është akuzuar për ndonjë krim apo nuk ka prova që kanë ditur për veprimtarinë kriminale të Epstein.

Mes emrave janë: ish-presidenti Bill Clinton, ambasadori britanik Lord Mandelson, miliarderi Leon Black, dhe avokati Alan Dershowitz (që ka punuar për Trump dhe Epstein).

Zyra e Clinton nuk është përgjigjur për koment, ndërsa zëdhënësi i Lord Mandelson tha për BBC-në se ai “është shprehur prej kohësh se pendohet që është prezantuar me Epstein.”

Dershowitz tha se nuk e mban mend ta ketë shkruar letrën, dhe se në atë kohë nuk dinte gjë për krimet e Epstein. Më pas e ka mbrojtur në një çështje në Florida, që çoi në një marrëveshje sekrete për mos-ndjekje penale nëse Epstein pranonte fajësinë për prostitucion.

Avokatët e pasurisë së Epstein dorëzuan gjithashtu kopje të librit të tij të adresave, i cili përfshinte kontakte nga viti 1990 deri në vitin 2019 me yje, familjarë mbretërorë, stilistë mode, biznesmenë dhe politikanë.

6. Ato theksojnë rolin e asistenteve të Epstein

Gjatë gjyqit të Maxwell, prokurorët argumentuan se krimet e Epstein nuk do të ishin të mundura pa ndihmën e saj.

Por libri i ditëlindjes jep informacion se si të dashurat, asistentet dhe punonjës të tjerë kishin rol kyç në rrjetin e trafikimit seksual dhe ndoshta edhe ato ishin viktima.

Një grua e paidentifikuar shkruan se “para Jeffrey-t” ishte thjesht një 22-vjeçare e divorcuar që punonte në një restorant, por “pas Jeffrey-t” udhëtoi nëpër botë dhe takoi figura të njohura si: Princin Andrew, Presidentin Clinton, Sulltanin e Bruneit, Donald Trump, dhe të tjerë.

Ajo gjithashtu thotë se ka parë dhomat private të Pallatit Buckingham dhe “është ulur në fronin e Mbretëreshës së Anglisë.” Letra ishte e printuar dhe ishte klasifikuar nën kategorinë “Asistente.”