
Trupi i pajetë i influencueses austriake, Stefanie Pieper, 31 vjeç, e zhdukur prej gati një jave nga Graz, është gjetur në një zonë pyjore pranë Mariborit në Slloveni. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet sllovene, të cilat prej ditësh po bashkëpunonin me policinë austriake në operacionin e kërkimit.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, zbulimi i trupit ka rënduar më tej dyshimet rreth rrethanave të zhdukjes së saj, pasi pak orë para se të gjendej, policia kishte arrestuar ish të dashurin e saj, Peter M., si dhe dy anëtarë të familjes së tij, nën dyshimin se mund të kenë lidhje me zhdukjen e influencueses.
Raportet nga mediat angleze dhe gjermane theksojnë se Peter M. ishte përfshirë në veprime të dyshimta rreth kohës kur Stefanie Pieper u zhduk, menjëherë pas një feste të Krishtlindjeve ku ajo ishte parë për herë të fundit. Dyshimet u shtuan edhe më shumë kur policia zbuloi lëvizje të pashpjegueshme dhe komunikime të dyshimta nga ana e tij.

Arrestimet u kryen si pjesë e një hetimi të zgjeruar, teksa autoritetet po përpiqen të rindërtojnë minutë pas minute lëvizjet e Stefanie-s ditën e zhdukjes.
Trupi i influencueses u gjet në një zonë të izoluar pyjore, disa kilometra larg kufirit me Austrinë. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar shkakun e vdekjes, ndërsa autopsia pritet të ofrojë të dhëna kyçe për hetimin.
Stefanie Pieper, e njohur në rrjete sociale për përmbajtjen e saj të lidhur me udhëtimet, modën dhe stilin e jetesës, ishte raportuar e zhdukur pasi nuk ishte kthyer në shtëpi dhe nuk ishte përgjigjur në telefon. Zhdukja e saj nxiti reagim të madh në Austri, ku ndjekës, miq dhe kolegë të influencimit bënë thirrje për ndihmë dhe informacione.
Policia austriake dhe ajo sllovene po hetojnë nëse vdekja ka qenë rezultat i dhunës apo ndonjë ngjarjeje tjetër kriminale. Arrestimi i ish të dashurit të saj dhe dy anëtarëve të familjes së tij konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm, por autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota për rolin e tyre të mundshëm.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa në rrjetet sociale vazhdojnë të publikohen mesazhe ngushëllimi dhe homazhe për influencuesen e re.



