
Një grabitje e planifikuar me kujdes ka tronditur mëngjesin e së dielës qendrën e Romës, ku tre persona të maskuar depërtuan me makinë në një depo të markës së luksit "Louis Vuitton", duke marrë me vete artikuj me vlerë të lartë.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 01:30, kur autorët përdorën automjetin e tyre për të përplasur hyrjen e godinës në Via Mario de’ Fiori, një rrugë dytësore më pak e monitoruar se pikat kryesore të markës. Pasi hapën forcërisht hyrjen, ata morën me shpejtësi çanta dhe produkte të tjera prej lëkure, një operacion që hetuesit po e përshkruajnë si shumë të organizuar dhe të planifikuar paraprakisht.
Sipas vlerësimeve të para, hajdutët kanë marrë rreth 140 artikuj luksi, ndërsa vlera totale e mallrave mendohet të arrijë deri në 300 mijë euro.
Marka "Louis Vuitton", pjesë e grupit LVMH, njihet për çantat dhe aksesorët që shpesh kapin çmime mbi 5 mijë euro, gjë që e bën një objektiv të shpeshtë të grabitjeve të tilla profesionale.
Policia dhe ekipet speciale kanë ekzaminuar zonën, duke inspektuar hyrjen e shkatërruar, qepenin e dëmtuar dhe pamjet e kamerave të sigurisë brenda dhe jashtë dyqanit. Hetuesit po analizojnë gjithashtu regjistrimet e ditëve të mëparshme për të parë nëse autorët kishin studiuar më parë terrenin.
Deri tani, nuk ka të arrestuar dhe vlera e saktë e mallrave të vjedhura nuk është përcaktuar zyrtarisht. Policia romake po vijon hetimet për të identifikuar autorët dhe për të gjurmuar lëvizjet e tyre pas grabitjes.



