![]()
Nicolas Sarkozy është ish-presidenti i parë francez që shkon në burg, ndërsa do të nisë sot dënimin 5-vjeçar – pasi u shpall fajtor për komplot në çështjen e fushatës zgjedhore të financuar nga diktatori i ndjerë libian, Muammar Gaddafi, sipas BBC.
Një gjykatë në Paris e shpalli ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy fajtor për marrjen e miliona eurove në financim të paligjshëm nga diktatori i ndjerë libian Muammar Gaddafi për kandidaturën e tij të suksesshme presidenciale në vitin 2007.
Që kur udhëheqësi kolaboracionist nazist i Luftës së Dytë Botërore, Philippe Pétain, u burgos për tradhti në vitin 1945, asnjë ish-udhëheqës francez nuk ka qenë pas hekurave.
Sarkozy, i cili ishte president nga viti 2007 deri në vitin 2012, ka apeluar kundër dënimit të tij në burgun “La Santé”, ku do të qëndrojë në një qeli me sipërfaqe afërsisht 9 metra katrorë.
Më shumë se 100 njerëz qëndronin jashtë, ndërsa Nicolas Sarkozy, 70 vjeç, mbërriti në hyrje të burgut në lagjen Montparnasse në jug të lumit Sena në orën 09:40, mes sigurisë së lartë.
Sarkozy vazhdon të protestojë pafajësinë e tij në çështjen shumë të diskutuar të fondeve libiane.

“Nuk kam dyshim. E vërteta do të triumfojë. Por sa dërrmuese duhet të jetë çmimi”, shkroi ai në X ndërsa po shoqerohej me makinë në burg.
“Me forcë të palëkundur i them popullit francez se nuk është një ish-president që po e burgosin këtë mëngjes – është një njeri i pafajshëm”, shtoi ai.
“Mos t’ju vijë keq për mua sepse bashkëshortja ime dhe fëmijët e mi janë pranë meje… por këtë mëngjes ndiej një hidhërim të thellë për një Francë të poshtëruar nga një dëshirë për hakmarrje”, tha Sarkozy.
Sarkozy deklaroi më herët se nuk dëshironte një trajtim të veçantë në burgun “La Santé”, megjithëse është futur në seksionin e izolimit për sigurinë e tij – pasi të burgosurit e tjerë janë të dënuar famëkeq për vepra terroriste.
Përveç Philippe Pétain që u burgos ishte edhe Mbreti Louis XVI para ekzekutimit të tij në janar 1793.
Brenda qelisë së tij ai do të ketë një tualet, dush, tavolinë pune dhe një televizor të vogël. Do t’i lejohet një orë në ditë kohë për ushtrime, vetëm.
Në fund të javës së kaluar, Sarkozy u prit në Pallatin Élysée nga presidenti Emmanuel Macron, i cili u tha gazetarëve se ishte normale që në një nivel njerëzor të priste një nga paraardhësit e tij.
Përpara mbërritjes së tij në burgun “La Santé”, Sarkozy dha një sërë intervistash për median, duke i thënë “La Tribune”: “Nuk kam frikë nga burgu. Do ta mbaj kokën lart, përfshirë edhe në portat e burgut”.
Sarkozi, i cili gjithmonë i ka mohuar akuzat, u akuzua se ka bërë marrëveshje me Gaddafi -in në vitin 2005, kur ai ishte ministër i Brendshëm i Francës – për të marrë financim për fushatën – në këmbim të mbështetjes së qeverisë libiane të atëhershme të izoluar në skenën ndërkombëtare.
Sarkozy, 70 vjeç, ka qënë në gjyq që nga janari i akuzuar për “fshehje të përvetësimit të fondeve publike, korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe konspiracion kriminal me qëllim kryerjen e një krimi”.
Hetuesit pretenduan se ai kishte bërë një pakt korruptiv me qeverinë libiane. Dyshohet se janë përfshirë spiunë libianë, një terrorist të dënuar, tregtarë armësh dhe sipas akuzave Gaddafi i ka siguruar fushatës së Sarkozy miliona euro të dërguara në Paris.



