BOTA&RAJONI

Jeta e heshtur e Michael Schumacher, legjenda nuk do të shfaqet më në publik

Jeta e heshtur e Michael Schumacher, legjenda nuk do të shfaqet më

Data 29 dhjetor 2013 shënoi një kthesë dramatike në historinë e sportit botëror. Pas aksidentit të rëndë me ski në Meribel, legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, u tërhoq plotësisht nga jeta publike, i rrethuar nga përkushtimi dhe dashuria e bashkëshortes së tij, Corinna Schumacher, dhe fëmijëve.

Në janar, 7 herë kampioni i botës mbushi 56 vjeç, por jeta e tij vazhdon të mbetet larg syrit të publikut, e ruajtur me fanatizëm nga familja. Diskrecioni ka qenë zgjedhja e tyre që prej ditës së aksidentit, duke mbajtur të kufizuara informacionet mbi gjendjen shëndetësore të ish-pilotit.

Një përditësim i matur erdhi nga gazetari britanik Craig Scarborough, i cili ndjek Formula 1 prej dekadash dhe ka pasur kontakte të shumta me Schumacher gjatë karrierës së tij. Duke folur për The Sun, ai u shpreh se, sipas burimeve shumë pranë familjes, nuk pritet që Schumacher të bëjë dalje publike në të ardhmen. Gjendja e tij mësohet të jetë stabël dhe e ndjekur me kujdes maksimal, ndërsa heshtja mbetet një zgjedhje e vetëdijshme.

Ata që i kanë qëndruar pranë e njohin mirë delikatesën e situatës. Flavio Briatore, njeriu që e solli në botën e Formula 1 në kohën e Benetton Formula, ka thënë se preferon ta kujtojë gjithmonë të buzëqeshur pas një fitoreje.

Një tjetër mik i hershëm, Jean Todt, ka treguar se vazhdon ta vizitojë dhe se shpesh ndjekin bashkë garat në televizion, duke ruajtur një lidhje që shkon përtej pistës.

Në dokumentarin e vitit 2021, Schumacher, Corinna Schumacher foli me dinjitet për përditshmërinë familjare, terapitë dhe praninë e vazhdueshme pranë tij, duke theksuar se familja mbetet forca më e madhe në momentet më të vështira.