BOTA&RAJONI

Kaos në fluturimin, plas sherri mes pasagjerëve dhe detyron ulje emergjente

Kaos në fluturimin, plas sherri mes pasagjerëve dhe detyron ulje

Një incident i rëndë ka tronditur pasagjerët e një fluturimi të kompanisë ajrore Jet2, që po udhëtonte nga Turqi drejt Mançester, duke detyruar pilotin të kryente një ulje emergjente në Bruksel pas një sherri të dhunshëm mes disa pasagjerëve britanikë.

Sipas dëshmitarëve okularë, përplasja nisi kur një pasagjer dyshohet se tentoi t’i merrte telefonin një tjetri. Situata degradoi me shpejtësi në përleshje fizike në korridorin e avionit, ndërkohë që në bord ndodheshin familje me fëmijë dhe persona të moshuar.

Pasagjerët përshkruan momente paniku dhe kaosi, duke raportuar për gjak në sedilje dhe madje edhe dhëmbë të rënë në dysheme. Disa prej tyre pohuan se një nga personat e përfshirë kishte konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli dhe dyshohet se kishte bërë edhe komente raciste përpara se situata të dilte jashtë kontrollit.

Kaos në fluturimin, plas sherri mes pasagjerëve dhe detyron ulje

“Në një moment gjithçka u bë serioze dhe përplasja u përshkallëzua. Njerëzit ishin të frikësuar, atmosfera u kthye në kaos,” rrëfeu një pasagjer. Një tjetër vlerësoi reagimin e ekuipazhit, duke e cilësuar atë “të qetë dhe profesional” në menaxhimin e situatës.

Menjëherë pas uljes në Bruksel, forcat e policisë hipën në avion dhe arrestuan dy persona të përfshirë në incident. Mësohet se piloti u ka thënë pasagjerëve se gjatë 30 viteve karrierë mund t’i “numërojë me njërën dorë” uljet emergjente që ka kryer, duke theksuar se nuk kishte përjetuar kurrë më parë një incident kaq të dhunshëm në bord.

Pas përfundimit të procedurave nga autoritetet belge, fluturimi vijoi drejt destinacionit final në Mançester. Kompania ajrore e cilësoi sjelljen si “plotësisht të papranueshme” dhe bëri të ditur se personat e përfshirë do të ndalohen përjetë nga fluturimet me Jet2.