
Kina ka hyrë zyrtarisht në një epokë të re të industrisë së prodhimit, duke futur në funksion të ashtuquajturat “fabrikat e errëta”; uzina plotësisht të automatizuara, ku robotët dhe Inteligjenca Artificiale zëvendësojnë plotësisht punëtorët. Termi vjen nga fakti që këto fabrika nuk kanë nevojë për ndriçim, pasi nuk ka njerëz brenda, vetëm makina që punojnë pa ndalesë.
Një revolucion në prodhim
Fabrikat e errëta përdorin robotë industrialë, sensorë të avancuar dhe sisteme të inteligjencës artificiale, të cilat koordinojnë çdo hap të prodhimit: nga montimi i pjesëve, te kontrolli i cilësisë dhe deri te paketimi. Ndryshe nga uzinat tradicionale, këto fabrika funksionojnë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke rritur në mënyrë drastike efikasitetin.
Sipas raporteve nga industria kineze, disa prej fabrikave të para të këtij lloji kanë arritur të rrisin produktin deri në 250%, ndërsa kanë ulur ndjeshëm kostot e punës dhe gabimet njerëzore.
Ky hap drejt teknologjisë sjell edhe shqetësime serioze sociale, si humbja e vendeve të punës, nevoja për aftësi të reja, pabarazi e mundshme ekonomike etj.
Ky projekt është pjesë e strategjisë afatgjatë të Pekinit për të shndërruar Kinën nga një “fabrikë e botës” me kosto të ulëta pune në një superfuqi teknologjike që udhëheq automatizimin global. Fabrikat e errëta po shihen si simbol i së ardhmes industriale, ku prodhimi masiv kombinohet me Inteligjencën Artificiale dhe robotikën.
Ekspertët theksojnë se nëse ky model përhapet me shpejtësi, ai mund të ndryshojë rrënjësisht tregun global të punës, duke hapur debate të mëdha mbi balancën mes inovacionit teknologjik dhe përgjegjësisë sociale.
Kina, ndërkohë, duket e vendosur të udhëheqë këtë transformim, duke hapur kështu një kapitull të ri: epokën e fabrikave pa drita, pa punëtorë, por me efikasitet maksimal.
View this post on Instagram



