BOTA&RAJONI

“Nuk është e denjë për të qenë nënë”, influencerja rrezikon jetën e të birit pasi e fut në qese vakumi për një video

“Nuk është e denjë për të qenë

Një influencuese ruse ka ndezur një valë zemërimi në rrjetet sociale, pasi publikoi një video tronditëse ku shfaqet duke futur djalin e saj të vogël brenda një qeseje plastike dhe duke përdorur një fshesë me korrent për të thithur ajrin. Pamjet, të cilat u përhapën me shpejtësi në TikTok, tregojnë momentin kur qesja ngushtohet rreth trupit të fëmijës, ndërsa ai i tmerruar dëgjohet teksa thërret “mami”.

Sipas portalit rus Life, influencuesja 36-vjeçare, Anna Saparina, e ka marrë ngjarjen me sportivitet dhe e ka paraqitur si një “eksperiment argëtues”. Por autoritetet ruse të mbrojtjes së fëmijëve kanë njoftuar se pritet ta thërrasin për sqarime, pasi veprimi mund të ketë vendosur seriozisht në rrezik jetën e të miturit.

Reagimet nga rrjetet sociale ishin të menjëhershme dhe të ashpra. Përdorues të TikTok, Instagram dhe X e kanë quajtur sjelljen e saj “të papërgjegjshme”, “të rrezikshme” dhe “të patolerueshme”. Një komentues në X shkroi:
“Anna Saparina është një abuzuese e neveritshme që duhet të përfundojë në burg për tmerrimin e djalit të saj vetëm për disa klikime”.
Ndërsa një tjetër shtoi:
“Kjo është e tmerrshme… Fëmijët nuk duhet të trajtohen si eksperimente!”

Rasti ka ndezur sërish debatin mbi etikën e “influencerëve familjarë”, të cilët shpesh akuzohen se shfrytëzojnë fëmijët për përmbajtje virale. Ekspertët tërheqin vëmendjen se videot e tilla mund të dëmtojnë sigurinë, privatësinë dhe mirëqenien psikologjike të fëmijëve, ndërsa platformat shpesh kritikohen për mungesë kontrolli mbi përmbajtjet e rrezikshme.

Ndërkohë, autoritetet ruse pritet të vendosin nëse do të ndërmarrin masa ndaj 36-vjeçares, ndërsa videoja vazhdon të qarkullojë në internet si një shembull ekstrem i rrezikut që mund të sjellë etja për klikime.