BOTA&RAJONI

Vuloset fati i perandorisë Murdoch, kush do ta drejtojë pas vdekjes së Rupert

Vuloset fati i perandorisë Murdoch, kush do ta drejtojë pas vdekjes

Një betejë disavjeçare brenda perandorisë mediatike të Rupert Murdoch është mbyllur me fitore për djalin e tij, Lachlan, i cili do të jetë në krye të grupit, shkruan BBC.

Marrëveshja e publikuar të hënën nga familja, siguron qasjen konservatore të Fox News, The Wall Street Journal dhe The New York Post pasi 94-vjeçari të ndërrojë jetë.

Sipas marrëveshjes, Lachlan do të kontrollojë një trust të ri kurse motrat dhe vëllai i tij, Prudence MacLeod, Elisabeth Murdoch dhe James Murdoch nuk do të jenë më përfitues të fondeve me aksione në Fox ose News Corp.

Dakordësimi vjen pas viteve tensioni mes kryefamiljarit dhe tre prej fëmijëve të tij për të ardhmen e rrjetit mediatik në pronësi të familjes.

Konflikti i brendshëm i familjes Murdoch shërbeu si frymëzim për serialin hit “Succession”.

Motrat dhe vëllai i Lachlan, të cilët janë më të moderuar politikisht, do të shesin aksionet e tyre të Fox dhe News Corp në muajt në vijim. Ata do të jenë përfitues të një fondi të ri që do të marrë para nga shitja e 14,2 milionë aksioneve të News Corp dhe 16,9 milionë aksioneve të Fox Corp.

Shitja e aksioneve do t’i shtohet trashëgimisë së secilit, por i ndalon të kenë ndikim në kahun politik të konglomeratit mediatik të familjes.

Vitet e fundit, James është distancuar nga mjedisi familjar duke dhënë si arsye mosmarrëveshjet për përmbajtjen editoriale.

Lachlan është drejtues i News Corp që përfshin The Wall Street Journal dhe The Times. Ai shihet si më konservatori nga fëmijët e Murdoch. Lachlan është në krye të perandorisë mediatike që pas tërheqjes së Rupert në shtator 2023.

Nga gjashtë fëmijët e biznesmenit, katër të mëdhenjtë ishin përfshirë në konflikt. Vajzat e vogla, Chloe dhe Grace, do të jenë gjithashtu përfituese të fondit të ri.

Beteja u zhvillua pas dyerve të mbyllura në Nevada, shtet i cili ofron privatësi për këto çështje, pasi Rupert u përpoq të ndryshonte kushtet e fondit familjar.

Ai donte që perandoria të mbetej vetëm në duart e Lachlan sesa të katër fëmijëve të mëdhenj, por në dhjetor të vitit të shkuar, një gjykatë e refuzoi këtë dhe tha se Rupert dhe Lachlan vepruan “keq” duke u përpjekur të ndryshonin fondin.

Sipas kompanive, marrëveshja e së hënës ishte një “zgjidhje e përbashkët e procesit ligjor”.