Drejtori Ekzekutiv i Meta Platforms, Mark Zuckerberg, mohoi në një gjyq të rëndësishëm në Los Angeles se Facebook dhe Instagram kanë synuar fëmijët nën moshën 13 vjeç, pavarësisht dokumenteve të brendshme të paraqitura në sallën e gjyqit që sugjerojnë se kjo grupmoshë ka qenë pjesë e diskutimeve strategjike të kompanisë.
Zuckerberg dëshmoi në një proces gjyqësor të ngritur nga një grua nga Kalifornia, e cila ka paditur Instagramin dhe YouTube, në pronësi të Google. Ajo pretendon se këto platforma i kanë shkaktuar dëme serioze në shëndetin mendor gjatë fëmijërisë, duke argumentuar se kompanitë kanë përfituar financiarisht duke i bërë fëmijët të varur nga rrjetet sociale, ndonëse kanë qenë të vetëdijshme për pasojat e mundshme negative.

Nëse humbet këtë çështje, Meta rrezikon të përballet me dëmshpërblime të mëdha financiare. Procesi konsiderohet pjesë e një vale më të gjerë padish në SHBA kundër kompanive të rrjeteve sociale për ndikimin e platformave në shëndetin mendor të të rinjve.

Ndërkohë, Snap Inc. dhe TikTok kanë arritur marrëveshje me paditësen përpara nisjes së gjyqit.
Në një email të brendshëm, Nick Clegg, ish-zëvendëspresident i Meta-s për çështjet globale, shkruante se “kufijtë e moshës janë të pazbatueshëm” dhe se dallimet mes politikave të Facebook-ut dhe Instagram-it e bëjnë të vështirë të pretendohet se kompania po bën gjithçka për mbrojtjen e të miturve.
Zuckerberg deklaroi në gjykatë se verifikimi i moshës së përdoruesve mbetet një sfidë për aplikacionet dhe se përgjegjësia duhet të ndahet edhe me prodhuesit e pajisjeve mobile. Ai shtoi se adoleshentët në Instagram përbëjnë më pak se 1% të të ardhurave të kompanisë.
Një tjetër pikë kyçe e procesit lidhet me kohën që përdoruesit kalojnë në platformë. Zuckerberg u pyet për deklaratën e tij në Kongres në vitin 2021, ku kishte thënë se nuk u kishte vendosur ekipeve të Instagram-it objektivin për të maksimizuar kohën e përdorimit.
Avokati i paditëses paraqiti email-e nga vitet 2014 dhe 2015 ku flitej për synimin e rritjes me përqindje dyshifrore të kohës së përdorimit. Zuckerberg pranoi se në të kaluarën kompania ka pasur objektiva të lidhura me rritjen e angazhimit, por theksoi se qasja ka ndryshuar me kalimin e viteve.
Një dokument i vitit 2022 parashikonte rritjen graduale të kohës mesatare ditore në Instagram nga 40 minuta në vitin 2023 në 46 minuta në vitin 2026. Sipas Zuckerberg-ut, këto nuk janë “qëllime”, por vlerësime orientuese për menaxhmentin. Avokati i Meta-s argumentoi se prioritet mbetet përvoja e mirë e përdoruesit dhe se rritja e përdorimit vjen si pasojë e përmirësimeve në shërbim.
Kjo padi shihet si një çështje testuese për mijëra procese të tjera gjyqësore në SHBA kundër Meta-s, Google, Snap dhe TikTok, të ngritura nga familje, shkolla dhe autoritete shtetërore që i akuzojnë kompanitë për nxitjen e krizës së shëndetit mendor tek të rinjtë.
Një vendim kundër gjigantëve të teknologjisë mund të dobësojë mbrojtjen tradicionale ligjore të industrisë ndaj padive për dëme që lidhen me përdorimin e platformave. Ndryshe nga rastet e mëparshme që fokusoheshin tek përmbajtja e publikuar nga përdoruesit, këto procese përqendrohen tek mënyra se si janë dizajnuar dhe operuar platformat.
Raportime investigative ndër vite kanë zbuluar se brenda Meta-s ka pasur njohuri për rreziqet e mundshme ndaj shëndetit mendor të të rinjve. Studime të brendshme kanë treguar se Instagram mund të ndikojë negativisht në imazhin e trupit tek disa adoleshentë dhe t’i ekspozojë ata më shpesh ndaj përmbajtjeve të lidhura me çrregullimet e të ushqyerit.
Në nivel global, disa shtete kanë filluar të ndërmarrin masa kufizuese. Australia ka ndaluar përdorimin e platformave sociale për nën 16-vjeçarët, ndërsa shtete të tjera po shqyrtojnë politika të ngjashme. Në SHBA, Florida ka ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 14 vjeç, megjithëse ligji po sfidohet në gjykatë nga grupet e industrisë së teknologjisë.
Vendimi i kësaj çështjeje mund të ketë pasoja të gjera jo vetëm për Meta-n, por për të gjithë industrinë e rrjeteve sociale.