AKTUALITET

Ekskluzive/ Kënga e re rikthen Arilenën në bashkëpunim me dy artistët e njohur!

Të gjithë e mbajmë mend se si “Nëntori” i Arilena Arës u shndërrua në një nga këngët më të dëgjuara në shumë shtete të botës. Një këngë që u këndua njëzëri nga njerëz të ndryshëm që e ndjenë çdo tingull e fjalë të saj.

Ditën e djeshme, ne ju treguam se artistja do të vijë së shpejti me “Nëntorin” e saj të dytë.

Ishte vetë këngëtarja ajo që ka postuar në “InstaStory” një video nga shesh xhirimi, ku shfaqej natyrale, e pastër, me flokë të lagur dhe e pa grimuar, siç rrallë herë kemi parë në videoklipe.

“Nëntori është për këngë të reja”, ka shkruar ajo.

Ekskluzivisht për PopArt Media, artistja kishte vetëm një fjali për ta përshkruar gjithë punën e saj: “Është thjesht një dashuri!”. Teksa, ekipi i saj ndau me ne një foto nga seti i xhirimit dhe së fundmi na zbuluan se Arilena do të vijë sërish në bashkëpunim me Darko Dimitrov. Producenti i njohur dhe besnik i këngëtares, me të cilin ajo ka bashkëpunuar prej vitesh, kanë realizuar së bashku “Nëntori”, “Shaj” dhe shumë këngë të tjera.

Një tjetër lajm i mirë është se do të rikthehet me një bashkëpunim, i cili kur ndodhi shumë vite më parë na i preku zemrat të gjithëve.

 “Vegim”, kënga dedikuar të atit nga artistja përcolli një pafundësi emocionesh me fjalët e shkruara nga artisti shumë i dashur, Timo Flloko.

Duket se edhe “Nëntori” i dytë i Arilenës premton shumë emocione. E vetmja gjë që mund të themi është se me këtë këngë do t’i këndojmë me gjithë zemër dashurisë.