Pas një pauze disavjeçare, zbulimi i talenteve të reja do të rikthehet shumë shpejt në Tv Klan me spektaklin që e ka provuar suksesin. “X Factor Albania” ka nisur intensivisht nga puna për një edicion të ri. Nga produksioni mësohet se tashmë janë mbyllur audicionet në rrethe dhe shumë shpejt, spektakli do të nisë transmetimin e netëve live.
Por që nga fillimi i këtij edicioni, i gjithë publiku është kureshtar për “gjykuesit” – kush janë anëtarët e jurisë?
Mes shumë emrave të përmenduar në media, këngëtarë profesionistë apo edhe personazhe të tjera të njohur të botës së spektaklit, producentët kanë konfirmuar ata që do të ulen në karriget e jurisë.

Adi Krasta
I rezervuar gjithmonë për të folur për veten (e mbani mend kur e keni dëgjuar për herë të fundit në një intervistë?), Adi Krasta ka pranuar të ulet këtë herë në karrigen e një spektakli talentesh si për t’u rikthyer shumë vite më parë, kur ai vetë drejtonte “Ethet e së premtes mbrëma”. A do të dridhen para Adit konkurrentët e rinj të këtij edicioni? Me siguri, Adi do ta kujtojë edhe atë periudhë kur të gjithë ishin me ethe… Vetëm se këtë herë, nga karrigia e jurisë, Adit do t’i duhet të përballet me të tjera ethe – ato virtuale, të TikTok-ut për shembull?

Arilena Ara
Kush më mirë se ajo e di çfarë ndien një konkurrent i “X Factor” që nga faza e parë e konkurrimit deri në finalen e madhe dhe në marrjen e kupës? Fituesja e “X Factor 2”, tashmë me një portofol të pasur artistik, me projekte të reja dhe suksese ndërkombëtare, rikthehet te spektakli që i dha famën.
Arilena ulet në karrigen e jurisë për të ndarë përvojën e saj në muzikë, për të dhënë kurajë e për të qenë mbështetje për të gjithë të rinjtë që duan të çajnë në rrugën e vërtetë të artit.
Të gjithë ata që e kanë pritur, vetëm pas disa javësh, do të kenë mundësi ta ndjekin live nga ekrani i Tv Klan.
Po, gjatë netëve live, Arilena do të sjellë edhe performanca të jashtëzakonshme dhe surpriza për publikun, por … kaq. Produksioni i ruan me fanatizëm surprizat.

Elhaida Dani
Një tjetër këngëtare shkodrane, e suksesshme gjithashtu. Me “Zanin” e saj unik, Elhaida Dani do të flasë këtë herë edhe si anëtare jurie. Për herë të parë në karrigen e një gjykueseje, Elhaida sprovon veten për të qenë “jashtë gare”. Turi i jashtëzakonshëm me muzikalin “Notre Dame de Paris”, për disa sezone, në shumë vende evropiane dhe jashtë saj, i ka dhënë Elhaidës më shumë siguri artistike, të cilën ajo do ta ndajë edhe me konkurrentët dhe talentet e “X Factor Albania”. Natyrisht, edhe Elhaida ka shumë surpriza për të ndarë me publikun gjatë netëve live, por produksioni….
Ka një anëtar të katërt?
Po, është edhe një emër tjetër mjaft i njohur në tregun muzikor. Por produksioni i ruan me fanatizëm surprizat.



