
Keni disa minuta kohë në radhën e supermarketit apo duke pritur fëmijët pas shkollës? Në një të ardhme jo shumë të largët, aq mjaftojnë për të parë episodet e disa prej serialeve më të ndjekura dhe më provokuese në botë.
Trendi i ashtuquajtur i “mikrodramave” po rritet me ritme të shpejta dhe konsiderohet si një nga industritë me zhvillimin më të shpejtë në televizion dhe film. Këto seri të shkurtra, të krijuara posaçërisht për celular, janë cilësuar si “OnlyFans për vështrimin femëror”, për shkak të natyrës së tyre të varësisë dhe përmbajtjes shpesh sensuale.
Formati i tyre është i thjeshtë: episode që zgjasin nga 1 deri në 15 minuta, të lehta për t’u konsumuar “me kafshata të vogla”. Ato kanë gjetur audiencë të fortë tek shikuesit me pak kohë në dispozicion, përfshirë nëna që kërkojnë pak emocion mes angazhimeve të përditshme.
Mikrodramat janë tashmë shumë të njohura në Kinë dhe Korenë e Jugut, ndërsa industria pritet të arrijë një vlerë rreth 21 miliardë paund deri në vitin 2030. Edhe pse gjigantët e transmetimit si 'Netflix' nuk janë përfshirë ende drejtpërdrejt në këtë format, shumica e këtyre serialeve ndiqen përmes aplikacioneve si ReelShort, DramaBox dhe PocketFilms. Megjithatë, ekspertët besojnë se është vetëm çështje kohe para se “TV-ja e vogël” të bëhet pjesë e rrjetit.
Të njohura si seri “vertikale”, sepse janë krijuar kryesisht për ekranin e celularit, këto mikrodrama shpesh përmbajnë skena romantike të theksuara dhe përfundime dramatike që lënë pezull shikuesin. Një sezon i plotë mund të ketë mbi 60 episode, ndërsa finalet shpesh kërkojnë abonim me pagesë.
Titujt shpesh janë provokues dhe plot drama, si “Dominated by My Dad’s Boss”, “Secret Surrogate to the Mafia King” apo “My Secret Agent Husband”.
Seriali “My Secret Agent Husband”, për shembull, përbëhet nga 57 episode dhe përshkruhet si një thriller romantik me protagonistë meshkuj. Historia ndjek trashëgimtarin e pasur Lucas, i cili për të shmangur një martesë të detyruar, shpall fejesën me agjentin sekret Wyatt. Por ajo që Lucas nuk di është se Wyatt po heton fshehurazi familjen e tij për afera korruptive financiare. Suksesi i serialit solli edhe vazhdimin, “My Secret Agent Husband 2”.
Ndërkohë, mikroseriali “Spark Me Tenderly” kujton frymën e “50 Shades of Grey”, por i përmbledhur në 30 episode. Personazhi kryesor, Floris, interviston miliarderin Brighton, por takimi i tyre profesional shndërrohet shpejt në një situatë plot tension romantik.
Me ritmin e shpejtë të jetës moderne dhe varësinë nga celulari, mikrodramat duket se po hapin një kapitull të ri në mënyrën si konsumojmë argëtimin; shpejt, intensivisht dhe kudo.



