
Stilistja e njohur dhe ikona e modës, Rachel Zoe, ka tërhequr vëmendjen e rrjeteve sociale me “divorce ring”, unazën e saj të re luksoze, krijuar pas ndarjes nga bashkëshorti, Rodger Berman.

Unaza përbëhet nga tre diamante të mëdhenj në formë ovale – një gur qendror dominues dhe dy gurë anësorë simetrikë – e realizuar në bashkëpunim me markën Ring Concierge. Zoe e ka cilësuar si “unaza e ëndrrave pas divorcit”, duke e vendosur në gishtin tregues, një zgjedhje simbolike që përfaqëson forcë, pavarësi dhe rilindje personale.

Çifti kishte njoftuar ndarjen rreth një vit më parë, dhe Zoe paraqiti kërkesën për divorc në korrik 2025, duke i dhënë fund një marrëdhënieje mbi 30-vjeçare, që ishte konsideruar një partneritet i suksesshëm në jetë dhe biznes.
Figura të tjera të njohura, si Emily Ratajkowski dhe Brooks Nader, kanë ndjekur këtë trend duke rikonceptuar unazat e tyre të fejesës, transformuar në bizhuteri që simbolizojnë një kapitull të ri. Në rastin e Ratajkowski-t, gurët e unazës u ndanë në dy unaza të veçanta, një metaforë elegante e ndarjes dhe e forcës individuale.

Sipas bizhutierëve, mesazhi pas këtij trendi është i qartë: fundi i një historie dashurie nuk duhet parë si humbje, por si një moment vetëvlerësimi dhe fillimi i një etape të re.



