
Aktivitete që stimulojnë trurin, si leximi, zgjidhja e fjalëkryqeve apo mësimi i aftësive të reja, mund të ndihmojnë në vonimin e shfaqjes së demencës dhe sëmundjes së Alzheimerit, sipas studimeve të fundit shkencore.
Ekspertët theksojnë se “stërvitja e trurit” është një mënyrë e rëndësishme për të ruajtur shëndetin mendor me kalimin e viteve. Aktivitetet intelektuale si leximi, shkrimi, mësimi i një gjuhe të re, luajtja e shahut ose zgjidhja e enigmave ndihmojnë në forcimin e lidhjeve nervore në tru.
Një studim i kryer me rreth 2000 persona të moshës 53 deri në 100 vjeç tregoi se ata që kishin një nivel më të lartë aktiviteti mendor gjatë jetës zhvilluan Alzheimerin mesatarisht pesë vite më vonë krahasuar me ata që ishin më pak aktivë mendërisht.
Studiuesit shpjegojnë se këto aktivitete krijojnë atë që quhet “rezervë njohëse”, e cila e bën trurin më rezistent ndaj dëmtimeve që vijnë nga plakja ose sëmundjet. Kjo do të thotë se edhe nëse në tru shfaqen shenja të Alzheimerit, njerëzit që kanë qenë më aktivë mendërisht mund të ruajnë më gjatë kujtesën dhe aftësitë e të menduarit.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk ekziston një mënyrë e sigurt për të parandaluar plotësisht demencën. Një stil jetese i shëndetshëm, që përfshin aktivitet fizik, gjumë të mirë dhe kontroll të sëmundjeve kronike, mund të ndihmojë në ngadalësimin e rënies së funksioneve njohëse me kalimin e moshës.



