
Viti i Ri është zakonisht momenti kur shumë njerëz vendosin të nisin zakone të reja të mira dhe të përmirësojnë shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Por rezolutat, sado ambicioze të jenë, shpesh kthehen shpejt në stres për shkak të sasisë së madhe të këshillave, shpesh kontradiktore, që vijnë nga media, reklamat, influencuesit, miqtë apo edhe politika.
Por nuk ka pse të jetë kështu.
Gjatë vitit që lamë pas, The Associated Press (AP) ka analizuar dhjetëra trende dhe pretendime në fushën e shëndetit dhe mirëqenies. Lajmi i mirë është se shumica e ekspertëve bien dakord për një gjë: thjeshtësia është çelësi.
Ndërsa 2026-a është në prag, ja çfarë mund të anashkaloni, çfarë duhet të ketë më shumë vëmendje dhe si të dalloni informacionin e besueshëm nga zhurma e madhe.
Proteina dhe fibra, mos bini në kurthin e modës
Kur bëhet fjalë për ushqimin, ekspertët thonë se shumica e njerëzve nuk kanë nevojë për produkte të shtrenjta që premtojnë “super-doza” proteinash. Nëse ushqeheni mjaftueshëm dhe në mënyrë të balancuar, ka shumë gjasa që tashmë po merrni proteinën e nevojshme.
Është e vërtetë që shumë njerëz kanë nevojë për më shumë fibra, por ekspertët këshillojnë të shmangni trendin e ashtuquajtur “fiber-maxxing”. Zgjidhja më e mirë mbetet konsumimi i ushqimeve natyrale si frutat, perimet, bishtajoret dhe drithërat integrale.
Kujdesi për lëkurën. Më pak është më shumë
Rutina 20-hapëshe e kujdesit për lëkurën dhe serumet e shtrenjta që promovohen në rrjetet sociale nuk janë të domosdoshme, thonë dermatologët.
Harrojeni 'yndyrën e viçit' dhe përdorni krem mbrojtës nga dielli, edhe nëse keni lëkurë të errët. Po ashtu, edhe “dushi i gjatë me gjithçka” nuk është i nevojshëm. Dushët e shkurtër dhe të thjeshtë, më të shëndetshëm dhe nuk kërkojnë “pastrim të dyfishtë”.
Aktiviteti fizik nuk do të thotë patjetër palestër
Nëse palestra dhe pajisjet ju duken frikësuese, lajmi i mirë është se një stërvitje e mirë nuk ka nevojë për asnjërën. Rikthimi i ushtrimeve kalistenike ka vënë sërish në fokus stërvitjet me peshën e trupit, që mund të bëhen lehtësisht në shtëpi.
Studimet tregojnë se kalistenika ndihmon në forcimin e muskujve dhe përmirësimin e kondicionit aerobik. Më vonë mund të shtoni pesha apo pajisje, por është një fillim ideal për të krijuar qëndrueshmëri dhe vetëbesim.
Trajtimet “wellness”, shpesh para të hedhura kot
Edhe nëse e teproni pak me alkoolin në natën e Vitit të Ri, mjekët thonë se terapitë intravenoze (IV) me vitamina janë të panevojshme. Vitaminat mund të merren më lirë dhe më lehtë në formë tabletash, nëse vërtet ju duhen.
Një mjek e përmbledh kështu: “Po paguani thjesht për urinë të shtrenjtë”.
E njëjta gjë vlen edhe për produktet “wellness” si testet e mikrobiomës, të cilat prodhojnë të dhëna që mjekët nuk mund t’i përdorin praktikisht. Po ashtu, nëse nuk keni diabet, nuk ka prova të mjaftueshme që të keni nevojë për monitorim të vazhdueshëm të glukozës.
Rikthehuni te bazat e shëndetit
Ideja e një pilule apo rutine mrekullie është joshëse, por shkenca tashmë e di çfarë funksionon vërtet:
- Ecni më shumë, në qytet apo në natyrë. Ecja përmirëson shëndetin fizik dhe mendor, aq sa mjekët po e “përshkruajnë” zyrtarisht.
- Kontrolloni tregues të rëndësishëm shëndetësorë, si tensioni i lartë i gjakut, i cili shpesh mbetet i padiagnostikuar.
- Flini mjaftueshëm dhe sigurohuni që edhe familja juaj ta bëjë.
- Mos hani vetëm shëndetshëm, hani më ngadalë.
- Kujdesuni edhe për mendjen: vendosni kufij me teknologjinë, përmirësoni përqendrimin dhe investoni në marrëdhëniet shoqërore dhe emocionale.
Studimet tregojnë se këto ndryshime nuk ju bëjnë vetëm të ndiheni më mirë tani, por ulin rrezikun e demencës dhe shumë sëmundjeve të tjera në të ardhmen.
Kujt t’i besoni për shëndetin?
Në një kohë kur rrjetet sociale janë plot me histori personale dhe reklama që premtojnë zgjidhje të shpejta, është e vështirë të dish kujt t’i besosh.
Edhe pse janë ngritur dyshime për disa praktika mjekësore, nga ngjyruesit ushqimorë te fluori apo terapitë hormonale, ekspertët theksojnë se mjeku juaj mbetet burimi më i besueshëm për parandalim, shqetësime shëndetësore dhe trajtime.
Nëse detyroheni t’i drejtoheni “Dr. Google”, mos e përdorni kurrë për vetëdiagnostikim. Shkruani pyetjet tuaja dhe çojini te mjeku dhe mos hezitoni të kërkoni sqarime.



