LIFESTYLE

Qershitë luksoze japoneze thyejnë rekord, 10 mijë euro për një arkë “Sato Nishiki”

Qershitë luksoze japoneze thyejnë rekord, 10 mijë euro për

Pas rekordit të vendosur nga toni i shitur në ankandin tradicional të Vitit të Ri, Japonia ka shënuar një tjetër moment historik në tregun e produkteve luksoze ushqimore. Këtë herë, në qendër të vëmendjes kanë qenë qershitë elitare “Sato Nishiki” nga prefektura Yamagata, në verilindje të vendit, të cilat janë shitur me një çmim rekord në tregun Toyosu në Tokio.

Një arkë me këto qershi u ble për 1.8 milion jen, shifër që përkthehet në rreth 9 850 euro. Sipas mediave japoneze, kjo do të thotë se çmimi për një kokërr të vetme qershie arrin afërsisht 140 euro, duke i renditur ato ndër frutat më të shtrenjta në botë.

Ajo që e bën këtë rekord edhe më të veçantë është fakti se qershitë kanë dalë në treg shumë më herët se sezoni i tyre i zakonshëm. Normalisht, qershitë japoneze piqen në fillim të verës, por këtë vit debutimi i hershëm u bë i mundur falë një metode të veçantë bujqësore të njohur si kultivim “i detyruar”. Kjo teknikë konsiston në vendosjen e pemëve në një periudhë ftohjeje artificiale, duke simuluar kushtet e dimrit brenda serrave, për të nxitur pjekjen e hershme të frutave.

Qershitë luksoze japoneze thyejnë rekord, 10 mijë euro për

Qershitë “Sato Nishiki” konsiderohen si një simbol i cilësisë së lartë dhe luksit në Japoni. Ato kultivohen me kujdes ekstrem dhe përzgjidhen sipas kritereve shumë të rrepta që lidhen me madhësinë, ngjyrën, shijen dhe pamjen perfekte.

Megjithatë, ankande të tilla nuk pasqyrojnë çmimin real me të cilin konsumatorët i blejnë këto produkte në tregun e përditshëm. Në Japoni, këto shitje rekord shihen më tepër si një matës prestigji dhe përsosmërie, si dhe një strategji marketingu për prodhuesit, të cilët përmes këtyre çmimeve të jashtëzakonshme rrisin vlerën dhe imazhin e produkteve të tyre.

Ky rekord i ri konfirmon edhe një herë kulturën unike japoneze, ku ushqimi nuk është thjesht konsum, por një kombinim i artit, traditës dhe luksit.