LIFESTYLE

Roboti humanoid kinez thyen rekordin "Guinness", përshkon 106,2 km pa ndërprerje

Roboti humanoid kinez thyen rekordin "Guinness", përshkon 106,2

Një robot humanoid i zhvilluar nga kompania kineze e robotikës "AgiBot" ka thyer një rekord botëror të Guinness duke përshkuar 106,2 kilometra pa asnjë ndërprerje. Roboti, i modelit “AgiBot A2”, filloi udhëtimin më 10 nëntor në qytetin Suzhou të provincës Jiangsu dhe e përfundoi më 13 nëntor.

Sipas mediave shtetërore kineze, robotit iu deshën tri ditë për të kompletuar distancën, ndërsa gjatë rrugës kaloi nëpër sipërfaqe të ndryshme dhe respektoi rregullat e trafikut, siç kërkohet nga protokollet e Guinness për validimin e rekordit. Organizata Guinness konfirmoi se rekordi është regjistruar si “distanca më e gjatë e ecur ndonjëherë nga një makinë humanoide”.

Kina e konsideron robotikën dhe inteligjencën artificiale si ndër sektorët strategjikë që pritet të përcaktojnë zhvillimin e teknologjisë në dekadat e ardhshme. Vitet e fundit vendi ka shtuar investimet dhe garat në këtë drejtim.

Roboti humanoid kinez thyen rekordin "Guinness", përshkon 106,2

Më herët, në maj të këtij viti, në Pekin u mbajt një gjysmëmaratonë unike, ku robotët humanoidë garuan për herë të parë krah për krah me njerëzit. Ndërsa në gusht u zhvilluan Lojërat Botërore të Robotëve Humanoidë, një aktivitet i parë i këtij lloji në rang global, ku robotë të modeleve të ndryshme konkurruan në një sërë disiplinash sportive.

Rekordi i ri i vendosur nga “AgiBot A2” konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të robotëve më të avancuar, të qëndrueshëm dhe të aftë për të funksionuar në mjedise të botës reale.