
Rusia ka urdhëruar bllokimin e aplikacionit WhatsApp, ndërsa Kremlini po forcon kontrollin mbi platforma të ndryshme komunikimi online. WhatsApp, në pronësi të kompanisë Meta, ka reaguar duke theksuar se ky vendim synon të detyrojë mbi 100 milionë përdorues në vend të kalojnë te aplikacioni shtetëror Max, i cili sipas kritikëve mund të përdoret për mbikëqyrje nga autoritetet.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha BBC-së se vendimi është marrë “për shkak të mosgatishmërisë së Meta-s për t’iu përmbajtur normave dhe ligjit rus”. Ai shtoi se Meta mund të rifillojë operimin në Rusi nëse “respekton ligjin dhe hyn në dialog me autoritetet”. Peskov po ashtu theksoi se aplikacioni shtetëror Max është një “alternativë e disponueshme” për qytetarët rusë.
Ndërkohë, rregullatori rus i internetit, Roskomnadzor, njoftoi se po kufizon edhe më tej aksesin në Telegram, duke pretenduar se platforma nuk ofron siguri të mjaftueshme. Telegram mbetet shumë i përdorur në Rusi, duke përfshirë edhe nga forcat ruse në Ukrainë. Blogerë pro-luftës kanë raportuar se këto masa po vështirësojnë komunikimin në terren.
Që para pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, autoritetet ruse kishin nisur përpjekjet për të krijuar një alternativë vendase ndaj internetit global, të cilat janë intensifikuar gjatë luftës dhe përfshijnë promovimin e platformës shtetërore Max. Kritikët paralajmërojnë se Max mund të përdoret për mbikëqyrje, ndonëse mediat shtetërore mohojnë këto akuza. Aktualisht, Max promovohet gjerësisht përmes reklamave televizive, billboard-eve dhe fushatave nga autoritetet lokale dhe media.
Rusia argumenton se WhatsApp dhe Telegram kanë refuzuar të ruajnë të dhënat e përdoruesve brenda territorit të vendit, siç kërkohet nga ligji, dhe se WhatsApp përdoret shpesh për mashtrime dhe zhvatje financiare, duke përdorur këtë si arsyetim për të inkurajuar qytetarët të kalojnë te Max.



