
Me ardhjen e koleksioneve pranverë/verë 2026 në pasarela vitin e kaluar, morëm një panoramë të qartë se ku po drejtohet moda. Parashikimet për tendencat kryesore tashmë kanë nisur të marrin formë, jo vetëm në linjat e veshjeve, por edhe në aksesorë dhe modele këpucësh që pritet të dominojnë sezonin. Disa prej tyre u vunë re që muajin e kaluar në street style gjatë Javës së Modës në Paris, ndërsa të tjera janë ende në fazë “inkubimi” dhe pritet të shpërthejnë në muajt në vijim.
Duke hyrë më në detaje, ngjyrat do të jenë protagoniste absolute në pranverën e vitit 2026. Nëse duhet të veçojmë një tendencë kyçe, ajo është kombinimi i ngjyrave që në pamje të parë duken të papërputhshme. Kontrastet e forta dhe përzierjet e papritura do të jenë formula fituese e stilit të ri.

A është vjollca bordo e re? Kjo ishte pyetja që po diskutohej së fundmi edhe nga redaktorët e modës. Ngjyra vjollcë ka një cilësi të ngjashme me burgundy-n, pasi kombinohet lehtësisht me tonalitete neutrale si e zeza dhe bezha, por njëkohësisht ofron një efekt të fortë vizual. Në pasarela, kjo ngjyrë u pa në koleksionet e Valentino dhe Chloé, ndërsa tashmë ka nisur të shfaqet edhe në koleksionet e markave si Khaite dhe High Sport.

Në tjetër trend i fuqishëm është ai i “clashing colors”, përplasja e ngjyrave. Në pasarelat pranverë/verë 2026, ngjyrat u rikthyen në mënyrë të guximshme dhe të pamundur për t’u injoruar. Dizajnerët kombinuan tonalitete që tradicionalisht nuk do të mendoheshin bashkë, duke krijuar pamje të freskëta dhe moderne. Marka si Versace dhe Loewe dhanë shembuj të qartë se si kombinimet e papritura mund të funksionojnë në mënyrë perfekte.

Ndërkohë, e kuqja qershi mbetet një investim i sigurt. Viti 2025 ishte momenti kur pothuajse të gjithë investuan në një triko të kuqe si pjesë kyçe e gardërobës. Nëse e keni një të tillë, mos e hiqni nga qarkullimi, pasi kjo nuancë do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes edhe në 2026. Shtëpi mode si Prada dhe Tory Burch po e risjellin të kuqen në forma të reja, nga bluzat polo me frymë preppy deri te fundet midi elegante.
Pranvera 2026 premton të jetë një sezon ku ngjyra nuk është thjesht detaj, por deklaratë. Nga vjollca e sofistikuar te përplasjet e guximshme dhe e kuqja energjike, garderoba e re do të jetë gjithçka përveçse e zakonshme.



