Dy dëshmitarë raportuan se dëgjuan një shpërthim dhe panë një re tymi që ngrihej mbi ishullin artificial ikonik të Dubait, Palm Jumeirah, në një kohë tensionesh të larta në rajonin e Gjirit.
Autoritetet e Dubait njoftuan se një zjarr në një ndërtesë në ishull plagosi katër persona. Fillimisht, dëshmitarët folën për një shpërthim, ndërsa Zyra e Medias e Dubait konfirmoi më vonë një “incident” që shkaktoi zjarrin.
Shërbimet e emergjencës deklaruan se flakët u vunë nën kontroll dhe se katër persona u transportuan në ambiente mjekësore për trajtim. Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi shkaqet e incidentit.
Ngjarja ndodhi në një moment kur tensionet rajonale janë përshkallëzuar, pasi Irani ka ndërmarrë sulme ndaj disa shteteve të Gjirit, në kuadër të përplasjeve të fundit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Përjashtim bën Oman, i cili po ndërmjetëson bisedime mes palëve.
Emiratet e Bashkuara Arabe, ku rreth 90% e popullsisë është e lindur jashtë vendit, konsiderohen një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike dhe turistike në rajon, ndërsa Dubai njihet globalisht për luksin dhe zhvillimin e tij të shpejtë.



