AKTUALITET

Lotët “ngrijnë” spektaklin, emocione të forta nga konkurrenti i “X Factor”

Nata e parë live e “X Factor”, për Kevin, njëri prej konkurrentëve të Arilena Arës, nuk nisi në mënyrën më të mirë, por gjithçka që ai interpretoi më pas u përkthye në një emocion të madh për të gjithë publikun në sallë, por me siguri, edhe në atë nga shtëpia. Ndonëse ende shumë i ri, Kevin vjen në “X Factor” me një brengë të madhe pas humbjes së të atit. Por kjo nuk e pengoi atë të merrte një rrugëtim dhe të rezultonte i suksesshëm. Por diçka ndodhi para se të niste të këndonte…

Kënga e zgjedhur nga Kevin, “Daddy” nga Coldplay, “u prek” nga syri i keq, pasi pati një problem teknik. Me këtë rast, Alketa përfitoi për të bërë një bisedë të shkurtër me të, por duke kujtuar takimin e parë me Kevinin, ajo kujtoi se edhe ajo sapo kishte humbur të atin një ditë më parë.

Pa u përpjekur të fshehë lotët, por edhe pa dashur ta ngarkojë Kevinin emocionalisht para performancës, Alketa tha se atje lart ishte një yll që ishte shumë krenar për atë që kishte në skenë.

“Ka një histori të dhimbshme Kevin dhe ne kemi folur bashkë shumë herë në audicione sepse njerëzve të skenës iu duhet shumë herë që të menaxhojnë emocionet edhe në ditët e tyre më të vështira, në ditët e tyre më të hidhura, të vazhdojnë profesionin apo misionin për të cilin janë nisur. Kevin ka humbur babain shumë pak muaj para se të vinte këtu në X Factor, kështu që prezenca e këtij djali nuk është vetëm ëndrra të tij, është edhe ëndrra e babait të tij. Nëna ka mbetur e vetme me tre fëmijë dhe… unë nuk dua të të ngarkoj emocionalisht sepse doja ta thoja në fund të performacës që mos të ta bëja ty të vështirë prezantimin, por doja të të thoja vetëmk të gjë që duhet një forcë e jashtëzakonshme për të vazhduar kur na mbeten këto boshllëqe që nuk na i plotëson dot asgjë më.

Ne jemi takuar të dy kur unë një ditë vetëm pas humbjes së babait isha me ju për të prezantuar natën e parë të audicioneve, jeta vazhdon dhe muzika është në fakt një nga rrugët më të bukura për t’ia dalë… është e vërtetë që muzika na shpëton në shumë mënyra, në momente shumë të vështira emocionesh, jo vetëm kur humbim dikë, por kur ndahemi nga diksuh që kemi dashur shumë, edhe kur festojmë dhe celebrojmë momentet e lumtura kështuqë dua të të uroj shumë kurajë dhe e di që njerëzit që ikin dhe na lënë këtë dhimbje kaq të madhe shfaqen gjithmonë në mënyra shumë të bukura prandaj ndieje të lutem prezencën e babait tënd sot se do të të japë krahë dhe do të të japë forcë që ti të këndosh sot. Jam këtu me ty”.

Dhe ashtu rezultoi… Kevini preku zemrat me emocionet që transmetoi me këngën që i kushtoi të atit. Ai, krenar atje lart, do ta shoqërojë të birin gjatë në këtë spektakël, pse jo deri në finale…