Gjithçka e pastër, e kristaltë, si vetë dashuria. Dhe e lidhur pazgjidhshmërisht me nëntorin. Cili është emri i parë që ju vjen ndër mend?
Sapo ju themi “Nëntori” dhe Arilena Ara, ju, me siguri i bëni vetë lidhjet apo jo? Ok, nëse po mendoni që Arilena s’po i ndahet nëntorit ose ky i fundit, s’po i ndahet Arilenës, qëndron. Në fund të fundit, pse jo edhe një herë tjetër, edhe një sukses tjetër që lidhet me muajin më romantik të vitit?
Ideja e këngës së re erdhi duke bërë bashkë të gjithë komponentët artistikë; zërin, muzikën, poezinë – të shoqëruara nga një videoklip krejt të natyrshëm.

Edhe këtë nëntor, Arilena i këndoi dashurisë, ndjenjës më sublime që ajo i këndon përherë, fare “pa u trukuar”.
“Dashuria ime”, nga producentët e këngës është konsideruar si një vijim i “Nëntorit” jo vetëm për nga ndjeshmëria që të përcjell, por edhe nga lidhja emocionale që të gjithë autorët kanë me të. Arilena Ara, Darko Dimitrov dhe Timo Flloko. A mund të ketë një treshe më të koordinuar për t’i kënduar dashurisë?
E gjithë fabula e këngës vjen përmes një videoklopi sa të thjeshtë, aq edhe të mbushur me emocion. Artistja dhe i gjithë grupi i saj i bashkëpunëtorëve vendosën të përcjellin ndjesitë unike dhe organike tek publiku, si vetë dashuria. Pena e artë e Timo Fllokos dhe muzika e mjeshtrit Darko Dimitrov e plotësuan të gjithë projektin dhe i paraprinë, me siguri, një suksesi tjetër po aq sa edhe i pari.



