AKTUALITET

“Piranjat”/ Monologu i Arilena Arës për ngjarjen e rëndë në Pejë!

Ngjarja e rëndë në Pejë, ku një infermiere dhunonte një të moshuar në shtëpinë e azilit “Orenda” ka qenë prej ditësh kryefjala e mediave, personazheve publikë dhe gjithë mbarë opinionit publik.

Kjo video ka tronditur të gjithë, duke sjellë më pas një lumë me komente dhe qëndrime nga pothuajse çdokush që e ka parë.

Të shumë kanë qenë ata që këtë çështje e trajtuan në aspektin gjinor, teksa në rrjetet e tyre sociale shkuan: “Eduko çikën, jo veç djalin”, të tjerët që shkruanin se nuk kanë më besim t’i dërgojnë prindërit në azile, e në shumë aspekte të tjera.

Mirëpo, në emisionin Insvestigativ “Piranjat” në “abc”, është trajtuar ky rast, por ndryshe nga çfarë kemi lexuar dhe parë këto ditë.

Moderatorja e këtij emisioni, Arilena Ara ka bërë një monolog të gjatë në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.

Gjatë fjalës së saj, ajo thekson problematikat kyçe që dalin nga ky rast, duke kaluar përtej sipërfaqes së ngjarjes dhe duke na treguar se ky problem është edhe më i thellë.

Arilena foli për dhunën që tashmë është element i sistemit ku jetojmë.

“Ja ku i dëgjuam dëshmitë e familjarëve; i pamë qendrimet e pronarëve, banorëve e punonjësve; mësuam reagimin e shtetit dhe përjetuam edhe shpërthimin në rrjetet sociale.

Por, asgjë nga sa po thuhet, nuk i zhbën, zbut apo zvogëlon ato pak sekonda në atë video. Ajo video tregoi që ky është humaniteti ynë, në nivelin zero. Tregoi që kjo e jona është një shoqëri, që nëse të sheh vulnerabël, të keqtrajton. Madje, edhe qesh e tallet me dhunën. Ajo video tregoi që infermierët e dalë nga shkollat tona sillen si hiena. Ajo video tregoi që në institucionet e kujdesit, nuk ka asnjë kriter që të vlerësojë gjendjen psiqike të punonjësve të shërbimit. Ajo video, tregoi që licensë mund të marrë e ta mbajë kushdo. Ajo video, tregoi që dhuna nuk është thjesht çmenduri e një individi, por element i sistemit.

Ndërkohë, që reagimi ndaj videos, tregoi edhe më shumë. Njerëz që bërtasin që nuk duhet të çojmë prindërit në shtëpi kujdesi; njerëz që e përkthyen si problem gjinor; njerëz që dhunën e videos e përcollën me britma për dhunë ekstreme ndaj protagonistëve. Edhe këtë radhë, mllefi na largoi nga e vërteta.

E vërteta është që zgjidhja nuk mund të jetë mos dërgimi i të moshuarve në shtëpi kujdesi, por transformimi i tyre në vende mirëqenieje. Zgjidhja nuk është dhuna ndaj infermierëve, por niveli i shkollimit e kriteret e punësimit. Zgjidhja nuk janë kamerat, por mënyra si jepen e kontrollohen licensat.

Të moshuarit janë ata që e kanë ndërtuar këtë vend dikur, me punën e tyre. Janë njerëz që kanë dashuri për të dhënë. Janë pasqyra e të nesërmes sonë.

Dhe ne shpesh harrojmë që të moshuarit nuk rrihen vetëm në azil, por “rrihen” dhe me pensionet dylekëshe, dhe me shurdhëri në derën e çdo institucioni të shtetit”- u shpreh Arilena në monologun e saj.

https://www.youtube.com/watch?v=OQZ0jJYzb6U&t=4598s

“Piranjat” kanë arritur ta zbërthejnë këtë rast deri në detaje dhe e thëna troç nuk është asgjë tjetër veçëse një vlerë e shtuar në gazetarinë cilësore.