E ftuara speciale e natës së parë të Eurovisionit në Liverpool do të jetë artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora. Prania në skenën gjigante të këtij festivali nuk do të bëjë krenarë vetëm fansat e saj, por të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Orët e fundit, këngëtarja ka ndarë me ndjekësit momente nga provat dhe përgatitja përpara performancës që pritet të jetë e jashtëzakonshme, si çdo performancë e Ritës, në çdo skenë të botës. Megjithatë, sonte është ndryshe…

Artistja shqiptare ka tërhequr vëmendjen me një album që ka krijuar me këngët e saj të preferuara, të cilat kanë qenë ndër vite pjesë e Eurovisionit. Rita na ktheu pas në kohë duke na kujtuar një stacion shumë të rëndësishëm për këngëtaren dhe këngën pjesëmarrëse në Eurovisionin e vitit 2020. Mes këngëve më të pëlqyera të Ritës është përzgjedhur “Fall from the Sky”, nga Arilena Ara – kënga që, me bindje premtonte të ishte fituese dhe një nga prezantimet më dinjitoze që Shqipëria ka bërë ndonjëherë në skenën e madhe europiane.
“Fall from the Sky”, nga Arilena Ara, bëri bujë 3 vjet më parë, madje qëndroi për të gjitha javët në garë në “Top 5” e atij edicioni. Kritikët e muzikës e vlerësuan si njërën prej baladave më të arrira jo vetëm të Eurovizionit 2020, por në përgjithësi të të gjithë repertorit të festivalit europian.

Përveç shumë vlerësimeve, në një artikull special BBC shkroi se balada e përfaqësueses shqiptare kishte potencialin për ta fituar Eurovisionin e atij viti.
Në një kohë kur pritej që gjithçka të ishte spektakolare, shpërthyese, si çdo performancë e Arilenës, nisur nga rrethanat e vështira që u krijuan për shkak të pandemisë, Eurovisioni u anulua për të gjitha vendet europiane.
Megjithatë, sot… ndërsa Rita Ora zgjedh mes mijëra këngëve Arilena Arën dhe Anjeza Shahinin (përfaqësuesen e parë shqiptare në Eurosong), na bën vërtet shumë krenarë. Sepse Rita e di mirë se ç’do të thotë talent dhe shumë punë pas tij… Jo sepse është shqiptare, por sepse ajo e ka treguar më shumë se kushdo tjetër që talenti nuk njeh kombësi. Kur është i vërtetë dhe kur ushqehet me një punë të jashtëzakonshme pas.



