
“Nuk kërkoj tjetër njeri” mbetet një nga baladat më të bukura të muzikës shqiptare, një këngë dashurie që vijon të prekë publikun edhe pas më shumë se tre dekadash. Me tekst dhe muzikë nga Elton Deda, ajo u prezantua për herë të parë në Festivalin e 34-t të Këngës dhe këtë vit rikthehet në vëmendje në Fest 64, e interpretuar në duet nga Gresa dhe Bledi.
Elton Deda ka treguar se e ka shkruar këngën në moshën 22-vjeçare, i frymëzuar nga ish-bashkëshortja e tij, në një kohë kur rruga e muzikës rock që kishte zgjedhur nuk ishte plotësisht e mbështetur nga familja.
“E kompozova këngën pa i treguar askujt se do ta çoja në festival. Ia çova në RTSH në një zarf dhe kur babai e dëgjoi më tha se ishte shumë e bukur. Atëherë e kuptova se kishte diçka të veçantë,” rrëfen Deda.
Kënga u realizua në kushte modeste, në një kat të sipërm të një palalti në 1995, pasi mungonin studiot e mirëfillta muzikore. Elton Deda falënderoi bashkëpunëtorët e tij të asaj kohe, Arjan Gjici në kitarë, Hektor Duri në kitarë bas dhe Shpëtim Saraçin, i cili u kujdes për regjistrimin.
“E bëmë këtë këngë me shumë dashuri dhe edhe sot tingëllon shumë mirë,” theksoi ai.
Në fund, Elton Deda bëri një apel për artistët shqiptarë që të marrin pjesë në Festivalin e Këngës.
“Festivali është një skenë shumë e bukur. Çmimet nuk janë gjithçka, por veprat që krijohen aty mbeten. Na duhen më shumë këngë me peshë dhe krijime edhe më të bukura”, tha ai.



