ART&KULTURË

Karnavalet ndezin atmosferën në Korçë

 

Karnavalet ndezin atmosferën në Korçë  
22 grupe vendase dhe gjashtë grupe nga Greqia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Polonia e kthyen çdo rrugë dhe shesh të Korçës në skenën, prej nga shpërthyen ngjyrat, ritmet dhe fabulat, të cilat shpërfaqën traditat shekullore. Paradës së grupeve artistike iu bashkuan edhe qytetarë dhe vizitorë të fundjavës, të cilët u bënë protagonistë të aktivitetit.

Mbi 400 kostume, maska dhe elementë butaforikë plot fantazi i dhanë Korçës një atmosferë të veçantë feste, e cila zgjati deri në mesnatë. Nga personazhet e mitologjisë, heronjtë e historisë, simbole teatrale dhe deri te fabula stigmatizuese të fenomeneve aktuale, çdo hap i paradës ishte një histori plot mbresa dhe emocione.

“Si gjithmonë, Karnavalet e Korçës sjellin gëzim, alegri. Sigurisht edhe tematika po shumë kostumem, shumë maska, shumë performanca, kemi shumë grupe të huaja sivjet. Kemi shumë grupe korçare, kemi shumë të rinj që duan të vishen dhe shumë të tjerë qytetarë që nëse i numërojmë me listë kemi veshur 400 persona”, tha Zamira Kita, drejtoreshë e Teatrit “Andon Zako Çajupi”.

Artistët nga Bullgaria dhe Greqia sollën në festival fabula interesante nga tradita e vendeve të tyre.

Grupet e Korçës, veç traditës, përcollën me historitë e tyre mesazhe edukuese.

Festivali i Karnavaleve u mbyll me Carnaval Party në Pazarin e Vjetër.