
Në një qoshe të mbushur me art në Pallatin e Kongreseve, në panairin “Klik Ekspo Grup”, këtë vit vinte aromë kërcimi. E dalloje lehtësisht sapo ngjiteshe në katin e dytë, këndin e shkollës së baletit. Jo vetëm sepse balerinat të prisnin me buzëqeshjen e tyre karakteristike, me flokët e mbledhur dhe staturën unike (një Zot e di se si rrinë aq drejt), por edhe sepse aty, mes të gjithëve shikon atë që nuk ka orë pushimi 24/7, nëse është fjala për ta çuar emrin e shkollës sa më lart të jetë e mundur.
Blerina Arbana është gjithmonë në krye dhe në mes të të gjithëve. Asnjë sekondë nuk e gjen në një vend, por me gjithë lodhjen, nuk ia heq kurrë askush buzëqeshjen e ëmbël që ia bën edhe më të bukur portretin. Pas mirëseardhjes, ajo nxiton të të prezantojë çdo sektor të kësaj hapësire, për të cilën është shumë e lumtur që e ka realizuar me duart e veta.
Aty janë kostumet tradicionale të valleve popullore, aty gjen edhe veshjet e kërcimit klasik, të atij modern e gjithfarësoj elementësh që i rrinë një shkolle me histori si shkolla e baletit. Ndonëse hapësira nuk është e madhe, është mjaftueshëm që Blerina t’i vendosë të gjitha gjërat që “do të shesë” në këtë panair.
Me shumë përkushtim rrëfen historitë njëra pas tjetrës – sa shumë për të arritur deri këtu, aq sa edhe vetë ajo vë dorën mbi ballë: “Sa shumë vite janë, sa shumë punë kemi bërë…”
Ama është shumë krenare për gjithçka ka arritur. Çdo event, çdo projekt, çdo element artistik që është prekur nga ajo, shkon deri në perfeksion. Sepse kështu është mësuar Bela të punojë…
Deri sot, kur koreografja e njohur është vlerësuar me çmimin “Shqiponja e Artë” nga organizatorët dhe sipërmarrësit e “Klik Ekspo Grup”, Luan Muhametaj dhe Elona Agolli.

Nuk e priste, megjithëse është mësuar me çmime gjatë gjithë karrierës së saj, por është e lumtur që shkolla që ajo drejton aspiron për të shkuar shumë më lart edhe pas kësaj pjesëmarrjeje në këtë panair, por edhe pas këtij vlerësimi.

“Jemi mësuar me çmime, kombëtare dhe ndërkombëtare, por “Shqiponja e Artë” është një vlerësim shumë i madh. Ndihem e nderuar dhe i falënderoj të gjithë ata që propozuan emrin tim për këtë çmim. Jam shumë mirënjohëse”,– thotë Arbana e emocionuar.
Gjithçka u nis e u mbyll më mirë nga ç’kishte pritur. Sepse i tillë është arti që bën Arbana dhe bashkë me të edhe Shkolla Koreografike: magjik nga Toka në Ajër dhe pastaj nga Ajri në Tokë.
Urime Bela dhe Shkolla Koreografike!



