Iris Van Hepen, stilistja pas veshjeve që duken si nga një botë tjetër, ka prezantuar koleksionin e ri të modës “haute couture” të quajtur “Sympoiesis”.
Veshja e parë quhet “Living Look” dhe është i pari i llojit të tij. Ai përmban 125 milionë alga biolumishente që lëshojnë dritë blu kur lëviz, shkruan Vogue.
Shkenca pas këtij krijimi duket si magji. Është një sistem i gjallë i mikroorganizmave njëqelizore Pyrocystis lunula, të kultivuara në ujë deti dhe të mbyllura në një xhel të veçantë ushqyes. Një mbështjellëse e tejdukshme mbrojtëse lejon kalimin e dritës dhe ajrit.
“Ka qenë një nga proceset më të jashtëzakonshme, madje mund të them më i jashtëzakonshmi”, thotë Iris. “Sepse s’ka të bëjë me të krijuarit e një veshjeje, është kultivim, të ushqesh diçka të për të cilën duhet të kujdesesh. Më pas lidhesh me të dhe është vërtet e bukur.”
Përpara shfaqjes, veshja gjendej në një kuti ku drita kontrollohet me kujdes dhe ka të njëjtën gjatësi vale ku gjenden algat, 50 metra nën nivelin e detit dhe të njëjtën lagështi.
Njësoj si njerëzit, Pyrocystis lunula ka nevojë për “gjumë” dhe ka ciklin e vet të dritës, njësoj si ritmi ynë cirkadian. Ato lëshojnë dritë kur lëvizin ose kur ndiejnë praninë e grabitqarëve.
Iris Van Herpen bashkëpunoi me Chris Beellamy, rreth dy vite më parë kur ai nisi kërkimet në Polinezinë Franceze. Më pas, Bellamy filloi të punonte me fermën e algave që më saktë është një dhomë me dritë të kontrolluar ku mikroorganizmat rriten në ujë deti dhe dyfishohen në sasi çdo dy javë.
Pas njëfare kohe, aty gjendeshin mbi 20 litra alga. Shndërrimi i tyre nga një gjendje e lëngshme në diçka më të ngurtë që mund të veendosej në modelet e Van Herpen u krye duke i vendosur algat në një xhel ushqyes. Procesi në total përfshin 35 hap që kanë kaluar mes provash dhe dështimesh derisa suksesi erdhi rreth një muaj më parë.
Organizmat që ndodhen në veshje mund të çiftohen dhe riprodhohen duke i dhënë më shumë dritë. Aromë? Nuk ka, “mund të ndiesh vetëm erën e ujit të detit”, thotë Bellamy.



