
Arkeologët në Egjipt kanë zbuluar 13 mumie të lashta me gjuhë dhe thonj ari në një varrezë në vendin e Oxyrhynchus.
Kur ekipi gërmoi deri në fund të një boshti varresh, ata zbuluan një sallë me tre dhoma që mbante dhjetëra mumie.
Sipas dy deklaratave të lëshuara nga Ministria egjiptiane e Turizmit dhe Antikiteteve, mbetjet njerëzore datojnë në periudhën Ptolemeike, një kohë kur një dinasti e ardhur nga një prej gjeneralëve të Aleksandrit të Madh sundonte Egjiptin.
Vlen të përmendet se arkeologët kishin zbuluar më parë 16 gjuhë ari në Oxyrhynchus.
Egjiptianët e lashtë vendosnin gjuhë ari në mumie me qëllim që të ndihmonin të ndjerin të fliste në jetën e përtejme dhe për shkak se ata besonin se ari ishte "mishi i perëndive", thanë Esther Pons Mellado dhe Maite Mascort, bashkëautorë të misionit arkeologjik, për Live Science në fillim të këtij viti.
Gjetjet e reja u bënë nga i njëjti ekip.
Një profesoreshë egjiptologjie në Universitetin Amerikan në Kajro, Salima Ikram, tha gjithashtu për Live Science:
"Numri i gjuhëve të arta këtu është i lartë, gjë që është interesante. Ndoshta trupat u përkasin elitave më të larta që ishin të lidhura me tempullin dhe kultet e kafshëve që u përhapën në zonë," shtoi ajo.
Për më tepër, ajo theksoi se është e mundur që gjuhët e arta "mund të kenë qenë modë për shtëpinë e balsamimit në zonë".



