
Sonte, Festivali i 64-të i Këngës në RTSH çel natën e tretë, një mbrëmje ku muzika bashkon breza dhe zgjon kujtesën kolektive. Publiku do të shijojë këngë ikonike shqiptare, të riorkestruara me frymë moderne nga dirigjentët Kapedani, Qinami dhe Ademaj.
Nata e dytë e festivalit u mbyll me emocione të forta dhe performanca mbresëlënëse, duke mbajtur publikun të lidhur deri në notën e fundit. Në dy netët e para, 28 këngë konkurruan në Pallatin e Kongreseve për një vend drejt Eurovision 2026 në Austri.
Tashmë ka nisur rrugëtimi drejt finales. Nga 28 artistë, vetëm 23 do të vijojnë garën: 5 në kategorinë “Debutues” dhe 18 në kategorinë “Big”.
Fituesi do të përcaktohet me formulën 50% votat e jurisë dhe 50% votat e publikut përmes SMS-ve në Shqipëri dhe Kosovë, duke garantuar transparencë dhe përfaqësim të denjë të muzikës shqiptare.



