
Me nismën e Xhani Shqerrës dhe nën kujdesin e Ambasadës Italiane në Tiranë, u ndez simbolikisht motori i një turi të veçantë që bashkon stilin dhe kulturën: "Made in Italy on Tour". Ky udhëtim mes Italisë dhe Shqipërisë u bë realitet falë përkushtimit të Ambasadorit Marco Alberti dhe mbështetjes së figurave kyçe të skenës kulturore.
Turi nisi në Tiranë, përballë butikut Aquamarine, një hapësirë ku prej vitesh moda dhe vlerat e përbashkëta italiane-shqiptare bashkëjetojnë natyrshëm. I ftuar i nderit ishte Franco Mazzetti, figurë ikonike e Pitti Uomo, i cili solli finesën e Firences në startin e këtij rrugëtimi.
Para nisjes së karvanit të Vespa-ve, Ambasadori Alberti theksoi mesazhin e thjeshtë, por të fuqishëm:
“Rëndësi ka të nisesh.”
Sepse çdo udhëtim është një akt besimi dhe dashurie për jetën.
Karvani ndoqi rrugën historike të Krrabës dhe u ndal në Elbasan, ku u prit nga Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, i cili e përshëndeti këtë nismë si një mundësi për thellim të bashkëpunimit kulturor dhe promovimin e qytetit.
Aquamarine Firenze, si gjithmonë, mbeti në qendër të kësaj nisme – jo thjesht si markë mode, por si një platformë mbështetëse për nisma me ndikim shoqëror dhe kulturor.
Finalja ndodhi në Palasë, mes natyrës mahnitëse dhe një perëndimi dielli që mbante në vete shijen italiane të stilit dhe jetës.
Xhani Shqerra, një zë i qartë dhe vizionar në diplomacinë kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë, me angazhimin e tij në nisma që fillojnë nga komuniteti dhe reflektojnë në skenat ndërkombëtare, vazhdon të ndërtojë ura të qëndrueshme mes dy vendeve mike.



