
Më 1 korrik 2024 u nda nga jeta Ismail Kadare, kolosi i letrave shqipe dhe një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë evropiane të shekullit të XX. Sot, një vit më pas, Shqipëria dhe bota kulturore vijojnë të ndiejnë mungesën e tij, ndërsa vepra e tij vazhdon të frymëzojë breza të tërë.
Autori i romaneve si “Pallati i ëndrrave”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur” dhe dhjetëra veprave të tjera, mbetet një pikë referimi jo vetëm për letërsinë shqipe, por për mënyrën si një shkrimtar mund të sfidojë diktaturën, të ruajë kujtesën kolektive dhe të gdhendë identitetin e një kombi përmes fjalës së shkruar.
Në këtë përvjetor të parë të mungesës së tij fizike, lexuesit rikthehen te librat e Kadaresë për të gjetur përgjigje, reflektim dhe shpresë. Letërsia e tij mbetet një pasuri kombëtare dhe universale, që nuk njeh kohë.
Në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali vlerësoi figurën dhe kontributin e shkrimtarit Ismail Kadare për letërsinë shqipe.
“Sot nuk jemi këtu vetëm për të nderuar më të pazakonshmin e njeriut shqiptar që iku, por për të qëndruar në heshtje përballë një ikone që do të mbetet mes nesh si dëshmi e gjallë e mendjes dhe shpirtit shqiptar. Kur largohet një shkrimtar i përmasave të Ismail Kadaresë, fjala është gjithçka që mund të kemi dhe njëkohësisht ajo bëhet gjithçka që ka rëndësi. Sepse, megjithatë, vetëm fjala mbetet.
“Dhe është pothuaj e pamundur të gjejmë fjalët e duhura për mjeshtrin e shqipes që krijoi një univers të tërë, njëherazi të njohur dhe të panjohur, të largët dhe të afërt, një simbiozë e rrallë mes të kaluarës dhe të ardhmes, përmes kujtesës dhe imagjinatës. Një personazh i njërit prej romaneve të tij tragjikë do të thoshte me qetësi: “Erdha të flas, jo të lavdëroj Ismail Kadarenë.” Sepse Kadareja nuk ka nevojë për lavdërime. Ai ishte dhe mbetet vetë lavdia”,- tha Spriopali.



