ART&KULTURË

Pas grabitjes spektakolare, Luvri përballet me një skandal të ri me mashtrimet e biletave

Pas grabitjes spektakolare, Luvri përballet me një skandal të ri

Një tjetër skandal ka tronditur Muzeun e Luvrit, muzeun më të vizituar në botë. Policia franceze ka arrestuar nëntë persona, mes tyre dy punonjës të institucionit, të dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi me biletat që mendohet se ka gjeneruar deri në 10 milionë euro përfitime të paligjshme.

Sipas hetimeve paraprake, bëhet fjalë për një rrjet të organizuar ku përfshiheshin guida turistike dhe persona të brendshëm të muzeut. Ata dyshohet se përdornin të njëjtat bileta për vizitorë të ndryshëm, kryesisht për grupe turistësh nga Kina, duke shmangur sistemin zyrtar të kontrollit dhe duke përfituar financiarisht në mënyrë të paligjshme.

Bazuar në informacionin e disponueshëm për muzeun, dyshojmë ekzistencën e një rrjeti që organizon mashtrime në shkallë të gjerë”,- deklaroi një zëdhënës i Luvrit për Agence France-Presse.

Vetë muzeu e ka raportuar rastin tek autoritetet, çka çoi në ndërhyrjen e policisë dhe arrestimet. Sipas prokurorisë së Parisit, mes të ndaluarve janë dy punonjës të Luvrit, disa guida turistike si dhe një person i identifikuar si organizatori kryesor i skemës.

Ky mashtrim i dyshuar vjen në një moment delikat për institucionin kulturor francez, i cili ende po përballet me pasojat e një grabitjeje spektakolare të ndodhur më 19 tetor. Një bandë hyri në ambientet e muzeut gjatë ditës përmes një dritareje dhe vodhi kurora franceze me vlerë rreth 88 milionë euro brenda vetëm shtatë minutash, përpara se të arratisej me skuterë.

Katër persona janë arrestuar në lidhje me atë ngjarje dhe ndodhen nën hetim formal, por bizhuteritë e vjedhura ende nuk janë rikuperuar.

Autoritetet franceze po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht skemën e mashtrimit me biletat, ndërsa rasti ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mekanizmat e kontrollit dhe sigurisë në një nga institucionet më prestigjioze kulturore në botë.