
Pas përfundimit zhgënjyes për Spanjën në Eurovizion 2025, ku përfundoi në vendin e 24-të me këngën “Esa Diva”, këngëtarja Melody ka folur hapur për këtë përvojë, duke theksuar mospajtimet krijuese dhe duke shprehur mirënjohje për mbështetjen nga fansat.
Në një konferencë për shtyp pas Eurovizionit, Melody tregoi se vizioni i saj artistik nuk u realizua plotësisht në skenë. Ajo përmendi se kishte ndryshime të minutës së fundit në skenografi dhe koreografi, të cilat ajo nuk i kishte miratuar, dhe se i kishte parë për herë të parë pamjet finale vetëm një ditë para performancës live. Sipas saj, këto ndryshime ndikuan në mënyrën se si u paraqit kënga.
Melody shtoi gjithashtu se kishte kufizime kontraktuale që i ndalonin të bënte deklarata politike, veçanërisht lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit, që kishte ngjallur polemika. Megjithatë, televizioni shtetëror spanjoll RTVE sqaroi se një klauzolë e tillë nuk ekzistonte në kontratë dhe se, ndonëse rregullorja e Eurovizionit ndalon mesazhet politike në këngë, artistët janë të lirë të shprehin opinionet personale.
Pas javësh me spekulime të pandërprera dhe një valë lajmesh të rreme, Melody ka vendosur t’u japë fund thashethemeve dhe të flasë publikisht për pjesëmarrjen dhe rezultatin e saj në Eurovizion. Duke përfaqësuar Spanjën, Melody përfundoi në vendin e 24-të në Basel, vetëm dy pozicione larg vendit të fundit. Pavarësisht një interpretimi vokal pa të meta, ajo nuk arriti të ngjitej më lart se vendi i 21-të nga juria dhe mori vetëm 10 pikë nga televotimi i publikut.
Melody mori një pauzë nga daljet publike në vend, por kjo nxiti spekulime, derisa këngëtarja sqaroi: “Isha e lodhur dhe kisha nevojë për kohë me familjen time. Kisha muaj të tërë që e kisha vënë Eurovisionin në qendër të prioriteteve.”
E emocionuar, Melody falënderoi fansat dhe median për mbështetjen, duke mohuar kategorikisht raportimet për drama prapa skene: “Gjithmonë e kam trajtuar ekipin tim me respekt. Thashethemet se kam përzënë njerëz nga dhomat e zhveshjes apo se jam e vështirë për të punuar, thjesht nuk janë të vërteta”,- tha ajo.
“Të lexoja gënjeshtra për veten time ishte e dhimbshme. Nuk do të sillesha kurrë ashtu. Thjesht nuk jam unë ajo.”
Gjatë konferencës për shtyp, Melody u surprizua me një buqetë me dymbëdhjetë trëndafila nga RTVE, një gjest simbolik për “dymbëdhjetë pikët” e Spanjës.



