ENTERTAINMENT

"Flakë në Eurovision", mediat e huaja për interpretimin e "Shkodrës Elektronike"

"Flakë në Eurovision", mediat e huaja për interpretimin

15 vende performuan mbrëmjen e së martës në gjysmëfinalen e Eurovisionit, por vetëm 10 prej tyre arritën të sigurojnë një vend në finalen e madhe që do të mbahet më 17 maj.

Ndër vendet që u kualifikuan ishte edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga grupi “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm”.

Sipas medias italiane “TGCom24”, Shqipëria është duke bërë përpjekje për të zënë një vend mes 10 më të mirëve në finale. Ata kujtojnë gjithashtu se rezultati më i mirë i vendit tonë në Eurovision është vendi i pestë i arritur në vitin 2012.

Edhe media greke “Protothema” ka vlerësuar performancën shqiptare. “Skena e gjysmëfinales së parë të Eurovision 2025 në Bazel u përfshi nga flakët, në kuptimin e mirëfilltë dhe figurativ, falë performancës së Shqipërisë”, shkruan media greke.

Sipas tyre, ndriçimi dhe efektet me tym, të kombinuara me një koreografi të thjeshtë, krijuan një atmosferë të veçantë që dallohej nga paraqitjet e zakonshme në Eurovision.

Performanca u prit me shumë entuziazëm nga publiku në sallë, ndërsa kënga “Zjerm” u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke u kthyer në një trend.

Shkodra Elektronike” përbëhet nga Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji, dy artistë me origjinë nga Shkodra, që prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Itali. Përveç angazhimit të tyre në muzikë, ata kanë vendosur t’i qëndrojnë afër rrënjëve duke e quajtur projektin e tyre muzikor “Shkodra Elektronike” në nder të qytetit të tyre të lindjes.

Kënga interpretohet në gjuhën shqipe, ndërsa të dy artistët sollën edhe elemente tradicionale shqiptare në skenën e Eurovisionit përmes veshjeve kombëtare, si një shenjë dashurie për atdheun.