POP ART MEDIA

Një udhëtim për veten dhe një histori suksesi nga SHBA-të

Një udhëtim për veten dhe një histori suksesi nga

Në këto kohë kur gjithçka në Shqipëri sillet rreth zgjedhjeve, fushatave, dhe premtimeve që përsëriten çdo katër vjet, shumë të rinj shqiptarë ende zgjedhin të largohen. Nisen me avionin e mëngjesit nga Rinasi, me bileta njëdrejtimëshe, me ëndrra në valixhe dhe me heshtjen si shoqëruese. Edhe Petro Kosho dikur bëri të njëjtën rrugë. Por historia e tij nuk është si shumica...

Petro nuk iku për të shpëtuar. Ai iku për të ndërtuar. Dhe për t’u kthyer, jo domosdoshmërisht fizikisht, por me dije, me përvojë, me një mënyrë tjetër për të kontribuar. Sot, nga SHBA-të, ku ndjek studimet në politikë publike dhe punon për projekte që prekin mijëra emigrantë, ai e ndjen Shqipërinë ndryshe. Jo si një vend nga i cili u largua dy vjet më parë, por si një vend nga i cili mund të fitojë shumë nëse mëson të dëgjojë ata që janë jashtë.

Një udhëtim për veten dhe një histori suksesi nga

Njerëzit shpesh më pyesin, ‘a do të kthehesh ndonjëherë?' Dhe unë gjithmonë them: "Po, por ndryshe. Nuk do të kthehem me valixhe të mbushura me dhurata, por me ide. Me modele që funksionojnë. Me një mënyrë tjetër të të menduarit mbi shërbimin publik dhe zhvillimin ekonomik”,- thotë Petro për popart.al.

Puna e tij në SHBA është unike. Ai është pjesë e organizatës "Global Detroit", ku ndihmon në ndërtimin e politikave dhe fushatave që u japin fuqi talenteve ndërkombëtare, emigrantëve, studentëve të huaj, profesionistëve që shpesh mbeten jashtë sistemit. Në vend që të flitet për integrim si një sfidë, Petro dhe kolegët e tij e trajtojnë si një mundësi. Një investim ekonomik. Një zgjedhje strategjike.

Duke udhëhequr komunikimet për "Michigan Global Talent Initiative", ai ka ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe institucional mbi kontributin real të emigrantëve në tregun e punës. Ai ka ndihmuar në hartimin e fushatave që tregojnë historitë e atyre që nuk janë thjesht “të huaj”, por pjesë aktive e zhvillimit lokal.

Një udhëtim për veten dhe një histori suksesi nga

Në një nga projektet e tij më të fundit, "Global Talent Accelerator", Petro analizoi ndikimin e një programi trajnimi për studentët ndërkombëtarë. Ai përdori metoda kërkimore, sondazhe, analiza krahasuese. Rezultatet e punës së tij nuk mbetën në sirtar. Ato u kthyen në rekomandime konkrete për përmirësimin e politikave të integrimit në Michigan.

Por ky artikull nuk është vetëm për sukseset në SHBA. Është më shumë për mënyrën se si një shqiptar i ri, larg shtëpisë, vazhdon ta ndërtojë Shqipërinë në mendje, jo si një nostalgji, por si një sfidë që meriton të trajtohet me seriozitet. “Nuk mjafton të dashurosh vendin tënd. Duhet të dish si t’i shërbesh”,- thotë ai. Dhe për këtë, largësia nuk është pengesë. Është mësim.

Një udhëtim për veten dhe një histori suksesi nga

Petro nuk bën premtime si në fushatat elektorale. Ai nuk premton se do të ndërtojë ura apo rrugë, por ndërton ura mes eksperiencave. Ndërton rrugë për të kthyer vlera në vendin e tij, jo me ngarkesa fizike, por me njohuri, me rrëfime dhe me një vullnet që nuk lodhet.

A do të kthehem një ditë?” - përsërit ai. “Po, por ndryshe. Sepse Shqipëria ka nevojë për më shumë se kthime fizike. Ka nevojë për kthime me kuptim.