
“Weightless” e dha sinjalin e parë për publikun në natën finale të BBV dhe Arilena Ara lajmëroi se shumë shpejt, kënga e re do të prezantohej me një dimension të ri të profilit të saj artistik. Zyrtarisht, bashkëpunimi i fundit i artistes me një prej emrave më në zë të industrisë muzikore si Diane Warren, sapo është publikuar dhe prej andej, mes yjeve, Arilena thekson edhe një herë tjetër fuqinë e saj vokale.
“Weightless” vjen jo vetëm si një hap i guximshëm drejt tregut ndërkombëtar, por për Arilenën përfaqëson edhe një kapitull të ri emocional. Kombinimi i simboleve kombëtare dhe atyre futuriste tregon edhe një herë tjetër se Arilena dhe grupi i ngushtë i bashkëpunëtorëve të saj arrijnë gjithmonë të jetë sa modernë, aq edhe unikë.

“Për tek yjet…” e përshkroi vetë Arilena këtë projekt kur e prezantoi në rrjetet sociale, duke theksuar edhe një herë tjetër idenë e kapërcimit në dimensione të reja artistike.
Një univers i ri është gjithçka që të shfaqet në videoklipin e ri të artistes që prezantohet si një përjetim unik vizual. Të qenit "pa peshë" në hapësira të palimituara na tregon të gjithëve një atmosferë magjepsëse, jashtë skenave të koncerteve apo studiove muzikore. Në një hapësirë imagjinare ku graviteti nuk ekziston, e vetmja gjë “e rëndë” është emocioni…
Detajet dhe simbolet janë kuruar me kujdes për t’u theksuar edhe në veshjen e Arilenës. Simboli i shqiponjës dykrenare, i vendosur në një prej veshjeve të saj, sfidon “skenën e universit” dhe kapërcen kufijtë shqiptarë.

“Weightless”, një këngë pop elektronike, por me ndjeshmëri të thellë, thekson edhe një herë fuqinë dhe interpretimin vokal të fuqishëm të Arilenës. Tema si zbrazëtia, rimëkëmbja dhe fuqia për të vazhduar përpara e bëjnë këngën të jetë e prekshme jo vetëm për audiencën shqiptare, por edhe jashtë saj, atë globale.

“Weightless”, me siguri, sapo nisi një rrugëtim në hapësirë për të lënë “peshë” në tregun ndërkombëtar; aty ku arti, identiteti dhe vizioni ndërthuren në mënyrë të pandarë.



