
Arilena Ara, ylli global i pop-it, është lidhur në Zoom nga vendlindja e saj, Shqipëria, duke biseduar me superkompozitoren Diane Warren, autoren e këngës së saj debutuese në SHBA, baladës në stilin tipik të Warren, “Weightless”. Ara mban veshur një bluzë me një mbishkrim ironik, “SPOILT BRAT” (fëmijë i llastuar), e cila ka tërhequr vëmendjen e Warren, që e ka gjithnjë gati një ‘thumb’, por mes të qeshurave, ajo kujton se në njërën nga takimet e para me Warren, kishte veshur një bluzë që thoshte “ASSHOLE” (idiot). “Dhe ajo më tha, ‘Oh po, kjo është fiks për mua!’”
“Po, pranova menjëherë!” ndërhyn me shaka Warren.
“Epo, ti më the që ngjajmë shumë”, ia kthen Arilena me buzëqeshje. “Dhe kjo më ka mbetur në mendje.”
Kur Ara dhe Warren u njohën përmes mikut të ngushtë të kompozitores, veteranit të industrisë së muzikës, Larry Frazin, ato nuk bënë ‘klik’ vetëm për humorin inteligjent dhe stilin ngacmues. Warren kuptoi shpejt se, ashtu si ajo vetë, edhe Ara kishte “atë zjarrin” dhe ishte krejt e kundërta e një vajze të llastuar. Ara ishte një “punëtore e palodhur… e uritur për sukses, që donte me çdo kusht të realizonte ëndrrat e saj.”
Warren gjithashtu vlerësoi “zërin unik” të Arilenës. Por ajo që i la më shumë përshtypje ishte kur Arilena këndoi “Weightless”, pasi Warren i kishte thënë: “Futu në studio, bëj ç’të duash dhe ‘qaje’ këtë këngë.” Aty doli në pah vokali shpërthyes që i dha fitoren në X Factor Albania.
Kur Warren, anëtare e Hall of Fame për kompozitorët, e cila numëron më shumë këngë në vendin e parë si autore në historinë e Billboard, me kompozime të interpretuara nga emra si Celine Dion, Cher, Toni Braxton, Aerosmith, LeAnn Rimes, Heart dhe Christina Aguilera, dëgjoi Arilenën duke kënduar “Weightless”, reagimi i saj ishte i menjëhershëm:
“O Zot i madh, kjo vajzë këndon për mrekulli!” Ajo shton:
Shkruaj shumë këngë dhe ndonjëherë nuk e di për kë janë. Por pastaj dëgjoj dikë që këndon dhe mendoj, ‘Kjo është kënga jote.’ Dhe kështu ndodhi edhe kësaj here. Ishte më mirë se ç’e kisha imagjinuar. E dija që do e këndonte mirë, por kur e dëgjova mendova, ‘Kjo është në nivelin e Celine, një performancë fantastike.'
Arilena ishte vetëm 14 vjeçe kur fitoi X Factor Albania në 2013, por ajo pranon se audicioni për Warren në të 20-at ishte një sfidë shumë më e madhe.
As që mund ta krahasoj. [Të garosh në talent show] nuk ka lidhje me Diane. Është Diane! Ishte një provë e madhe”, thotë ajo. “Kur isha 14 vjeçe, nuk kisha asgjë për të humbur… Por tani duhej t’i lija mbresa. E dija që ajo kishte punuar me këngëtaret e mia të preferuara të të gjitha kohërave. Unë vij nga Shqipëria dhe po përpiqem të bëj një këngë me Diane! Nëse ajo do të më thoshte: ‘Është mirë, ke një zë të bukur,’ e dija që kjo nuk do mjaftonte. Diane është e sinqertë në studio. Nëse i pëlqen diçka, ta thotë. Dhe nëse jo, do të thotë: ‘Dil menjëherë nga studioja ime.’
Por kjo, natyrisht, nuk ndodhi. “Deshi të më dëgjonte duke kënduar këngën tri herë dhe pastaj tha: ‘O Zot, kjo është fantastike!’” kujton me krenari ylli i pop-it.
Ajo ishte gati për këtë moment kyç në karrierë sepse, siç thotë Warren, ajo “i kishte plotësuar tashmë 10,000 orët e saj.” Dhe siç thotë vetë Ara, ajo ishte “e trajnuar mirë për të përballuar famën, suksesin dhe skenën.”
Edhe pse “Weightless” është debutimi zyrtar i saj në Amerikë, ajo ka qenë një yll i madh në Europë për më shumë se një dekadë, juriste në X Factor Albania dhe The Voice Albania; ka fituar çmime për Këngën e Vitit dhe Artisten më të Mirë në 10 shtete, ka pasur disa hite në top 10, përfshirë dy të parat. Ajo është aq e famshme në Shqipëri, sa rrallë del nga shtëpia pa syze për t’u fshehur, sepse pranon që “nuk ndihet më rehat” me vëmendjen dhe “nuk e përballon dot më.”
Por Ara thekson: “Meqenëse e dua aq shumë atë që bëj, nuk kam ndonjë pendesë.” Prandaj, aspektet negative të famës në Europë nuk e kanë ndalur që të provojë të depërtojë në SHBA, ëndrra e saj që nga fëmijëria. “Thjesht doja të thyeja kufijtë dhe të mos isha vetëm [e suksesshme] në Europë. Doja të isha globale, për arsye që nuk i shpjegoj dot,” thotë Arilena.
Muzika nuk është vetëm pasioni im. Është gjithë jeta ime. Është gjithë personaliteti im. Është ajo që jam. Është e vetmja gjë që di ta bëj në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam qenë gjithë jetën time, që nga fëmijëria, në skenë. Nuk kam qenë ndonjëherë adoleshente normale… Prandaj, po, jam në të njëzetat, por ndiej sikur kam jetuar shumë vite më tepër.
Ajo po përpiqej të niste karrierën në SHBA pikërisht para pandemisë COVID-19, kur udhëtoi drejt Amerikës për të punuar në këngën që do përfaqësonte Shqipërinë në Eurovision 2020. Por për herë të parë në historinë 69-vjeçare të Eurovision-it, festivali u anulua për shkak të COVID-it dhe gjithçka u pezullua. Megjithatë, Ara tani beson se ishte “fati” që e priti debutimin në SHBA me ndihmën e Warren: “Mendoj se tani është momenti i duhur. Kam punuar pesë vite për këtë projekt.”
“Teoria ime është se nëse je yll diku, mund të jesh yll kudo,” shprehet Warren. “Mund ta shohësh [fillimin nga e para në SHBA] si sfidë. Është si të ndërtosh diçka të re.”
Zgjedhja për të dalë me një baladë si kënga debutuese në SHBA është interesante (ndonëse një remix dance i “Weightless” pritet të dalë në gusht), por Ara thotë se baladat janë “specialiteti i saj,” dhe natyrisht Warren, megjithëse nuk ka dikë në jetën personale, është e specializuar në këngët për dashurinë. “Njerëzit bëjnë gjithçka me baladat e mia; martohen, divorcohen, bëjnë seks, bëjnë fëmijë. Madje i përdorin edhe në funeral,” thotë Warren. Dhe “Weightless” është një baladë ikonike nga Diane, “rreth të qenit i dashuruar, jo se unë di ndonjë gjë për të! E dua macen time”, thotë ajo me humor.
Warren shton, duke qeshur, se një herë kishte menduar: “Kjo do të ishte një këngë fantastike për të gjithë ata njerëz që shkuan në hapësirë me Jeff Bezos.” Por më pas vijon: “Ndoshta është më mirë që nuk u përdor…”
[Kur i propozohet me shaka Warren-it të shkruajë një këngë për ta ndihmuar Katy Perry të rikthehet në skenë, ajo përgjigjet: “Nuk e di nëse do të donte. Por unë do ta bëja.”]
“Weightless” i dha Arilenës mundësinë të shprehte “ndjesi të përziera, emocione të papërpunuara.” Ajo shpjegon: “
Edhe kur nuk e kam shkruar vetë, mundohem të lidhem me këngën, ta ndiej çdo fjalë, çdo notë, dhe të jem tërësisht e dashuruar me të në atë moment, dhe ta përjetoj personalisht. Dhe ishte personale… Ishte kënga ime e parë në SHBA, dhe ta bëja këtë me Diane kishte një rëndësi të jashtëzakonshme për mua. Që ajo besonte tek unë. Dhe ajo vërtet e tha: ‘Besoj tek ti.’ Nuk është e lehtë të vish nga Shqipëria, të kesh karrierën bazuar këtu, dhe të përpiqesh të depërtosh në Amerikë. Dhe të kesh përballë Diane dhe ajo të të thotë: ‘Ti mund ta bësh, dhe unë do të ndihmoj’… uau.
Gjatë gjithë bisedës në Zoom, Warren thekson disa herë se Ara nuk mund të qëndrojë në Shqipëri nëse do të shfrytëzojë kulmin e “Weightless”, që deri tani ka marrë reagime pozitive në SHBA.
“Njerëzit në botën time që e kanë dëgjuar thonë: ‘Çfarë këngë e mrekullueshme! Kush është kjo?’ Dhe mendojnë që kjo këngë duhet të jetë një hit i madh. Shpresoj vërtet që të depërtojë këtu”, thotë Warren. “Por, me këtë rast, duhet të jesh këtu. Duhet të vish. Kjo është shumë e rëndësishme. Duhet të jesh këtu. Duhet të shkelësh në këtë vend.”
“Diane më premtoi që pas publikimit të ‘Weightless,’ do të më shkruajë një EP. Ma premtoi! Dhe kjo është arsyeja që po vij shumë shpejt në L.A. për ta bërë realitet,” deklaron Ara.
“Do të të jap kryesisht këngë gati, për të qenë e sinqertë”, i thotë Warren Arilenës me stilin e saj të drejtpërdrejtë, ndërsa biseda në Zoom po përfundon. “Kështu që, nëse je e hapur për këtë…”
“Diane e njeh potencialin tim”, përgjigjet Ara me buzëqeshje, duke miratuar me gishtat e mëdhenj të ngritur lart. “Kështu që ajo mund të bëjë ç’të dojë. Dhe unë do e pranoj.”
Burimi: Lyndsanity




